Një takim i mbajtur para së premtes mes shoqatave të bizneseve dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, e bindi këtë të fundit që Qeveria të heqë dorë nga një shumë e madhe e parave që parashihej të hynin në buxhet si borxh i akumuluar nga kompanitë që merren me ambalazhimin e ujit në vendin tonë.
Në vendimin e nxjerrë nga ekzekutivi u vendos që të aprovohet falja e borxheve prej 58 milionë eurove për këto kompani dhe të ndryshohet neni 12 i Udhëzimit për Strukturën e Pagesave të ujit, raporton KTV.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKy vendim ka ngjallur jo pak reagime.
Disa e akuzojnë të parin e Qeverisë se vendimin e mori i ndikuar nga fushata, përderisa të tjerët fajin e hedhin te Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që ka shkelur vetë udhëzimet e nxjerra.
Gazetari, Lavdim Hamidi, thotë se Haradinaj e vazhdoi logjikën e Isa Mustafës, i cili po ashtu pati falur një numër të madh kompanish që nuk kishin paguar me vite obligimet tatimore dhe ato të energjisë.
Nga ana tjetër, gazetari Zekirija Shabani, thotë se ky hap i ndërmarrë po shkakton shkelje të konkurrencës dhe dëmtim të kompanive të përgjegjshme.
Ai akuzon Ministrinë e Mjedisit për shkelje të drejtpërdrejtë të udhëzimeve që vetë i kanë hartuar.
Lufta mes bizneseve dhe Ministrisë së lartpërmendur ka shumë kohë që ka nisur.
Shoqatat nuk ishin pajtuar që vendosja e çmimit prej 0.009 të vlente, por kishin kërkuar që ky çmim të jetë 0.001 cent.
Udhëzim i parë i nxjerrë nga kjo Ministri në vitin 2006 ishte bërë pa asnjë konsultë me bizneset, të cilat e kishin marrë vesh për një udhëzim të tillë shumë vite pas.
Vitin e kaluar, Ministria në fjalë kishte ndryshuar udhëzimin, por sërish kishte lënë kushtin që kompanitë të paguajnë obligimet brenda dy vitesh.
Në Odën Ekonomike të Kosovës nuk pranojnë se 58-milionëshi është shifër e saktë pasi, sipas tyre, asnjëherë nuk është bërë ndonjë vlerësim për sasinë e shpenzuar.
Kohavisioni nga mëngjesi ka kërkuar përgjigje nga Zyra e kryeministrit dhe Ministria e Mjedisit, si përmes e-mailit, ashtu edhe përmes thirrjeve të vazhdueshme telefonike, por zyrtarë të autorizuar për media nuk janë përgjigjur.
Një vit më parë, KTV-ja e kishte trajtuar këtë temë dhe atëkohë Ministria e Mjedisit pati thënë se nuk i ndryshon vendimet.
Madje, e njëjta Ministri ka thënë se një numër operatorësh kanë marrë vërejtje për këtë mosdeklarim dhe shumë lëndë të tyre janë proceduar në Gjykatë nga Inspektorati i Ministrisë.