Arbëri

Qirezi: Kandidatët nuk i dinë nevojat themelore të qytetarëve të Prishtinës

Mungesa e parkingjeve në kryeqytet dhe lëvizja e madhe me makina bën që kaosi të jetë e pjesë e ditës për secilin qytetar.

Lirak Çelaj, kandidat i PDK-së për kryetar të Prishtinës, ka propozuar qarkullimin me pagesë. Opinionisti Arben Qirezi në Rubikon të KTV-së ka thënë se e përkrah një ide të tillë, e cila është përfolur me vite në Prishtinë.

“Ideja e Lirakut për mbylljen e qytetit për qarkullimin e automjeteve, përkatësisht që ta bëjë qarkullimin e makinave me pagesë është e mirë”, ka thënë ai.

Tutje Qirezi ka thënë se kandidatët nuk i dinë nevojat themelore të qytetarëve. Kjo sepse nuk i kanë pyetur ata.

“Shembull lagjet e periferisë së Prishtinës, nevoja e tyre është që tu rikthehet tatimi në pronë të cilën ata ua paguajnë komunës së Prishtinës, të cilat janë shumë të larta, të cilat janë pothuajse të larta sa pronat në qendër të Prishtinës dhe çka marrin ata në kthim, asgjë. Qeveria e Prishtinës i ka shpenzuar ato të ardhura në politika të tjera, por nuk ka qenë një trend që paratë e qytetarëve t’ju kthehen qytetarëve të cilët i kanë paguar ato”, përfundoi Qirezi.