Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

S’dihet kur do të votohet buxheti në Kuvend, parashihen rreziqe financiare nga vonesat

Ka dy javë që Qeveria ia ka dhënë dritën e gjelbër rishikimit të stërvonuar të buxhetit, por i njëjti nuk është votuar në Kuvend.

Në mbledhjen e 22 shtatorit, ekzekutivi mbështeti kërkesën e ministrit të Financave, Bedri Hamza, që buxheti i zvogëluar prej 1.8 milionësh, të rishikohet në ekzekutiv në mënyrë të përshpejtuar, por nga ajo datë nuk ka pasur asnjë lëvizje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Qeveria e ka konfirmuar se buxheti është dërguar në Kuvend për procedura të mëtutjeshme, ndërsa zyrtarë të Kuvendit nuk kanë dhënë asnjë sqarim për KTV-në se kur buxheti do të jetë në rend dite për votim.

Pa asnjë përgjigje kanë qenë edhe dy partitë opozitare.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, zyrtarë të së cilës kërcënuan se nuk do të lejonin rishikimin e buxhetit nëse i njëjti nuk do të ishte 2 miliardë euro, nuk ka qenë askush i gatshëm për prononcim.

Pos që njëri nga zyrtarët e saj i ka thënë KTV-së nëpërmjet telefonit se materialin e buxhetit të rishikuar e kanë marrë të mërkurën në mbrëmje, ndërsa plani i tyre është që të njëjtin ta vënë në diskutim të martën e javës që vjen në mbledhjen e parë të Komisionit për Buxhet.

Pa përgjigje kanë qenë edhe zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve shohin një numër rreziqesh që bart vonesa e rishikimit të buxhetit.

Përpos që nuk pritet të arrihen parashikimet për rritjen ekonomike prej mbi 4%, vonesat në rishikimin e buxhetit kanë sjellë jo pak probleme për qeverinë, e cila është zhytur në borxhe ndaj kompanive të ndryshme.

Kohavisioni merr vesh se si pasojë e kësaj vonese një numër i madh i bizneseve që kanë pasur kontratë për realizimin e projekteve të ndryshme qeveritare kanë hasur në probleme të mëdha financiare.