Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Murtezaj pranon nderin që i bëri Franca: Mbetem i përkushtuar për të mirën e njerëzimit

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Valon Murtezaj, ka pranuar në Prishtinë medaljen prestigjioze që ia ndau presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Titullin e lartë, Oficer i Urdhrit Kombëtar të Meritës, ia ka ndarë në një ceremoni të veçantë, ambasadori i Francës në Kosovës, Didier Chabert.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Derisa e ka pranuar këtë medalje, Murtezaj ka thënë se për disa vite, në punën e tij akademike në Paris, ka takuar studentë dhe profesorë nga të gjitha kontinentet, njerëz që vijnë nga të gjitha kulturat e botës.

“Kam mësuar shumë mësime jetësore. Po ashtu gjatë punës time në Qeverinë e Kosovës kamë mësuar shumë gjëra. Por më e rëndësishmja është që në kohën që po jetojmë të gjithë duhet të bëhemi bashkë të punojmë për të mirën e njerëzimit dhe forcimin e paqes”, ka thënë Murtezaj, raporton Koha.net.

Murtezaj ka thënë se edhe në të ardhmen, kudo që të jetë, e çfarëdo që të bëjë, do të mbetet gjithmonë i përkushtuar për të mirën e përbashkët të njerëzimit dhe do t’i qëndrojë besnik i vlerave humaniste dhe i civilizimit perëndimor.

“Faleminderit pafund Francës dhe popullit të madh mik francez”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, ambasadori Didier Chebert i ka thënë Murtezjat se “ju gjithmonë keni bartur vlera të humanitetit, integritetit personal dhe qeverisjes së mirë”.

“Por, nuk do të mund ta kaloja pa e përmendur se, mbi të gjitha, jeni njeri me kulturë të lartë. Nuk ka asnjë edukatë më të mirë sesa përmes shembullit tonë t’i gëzojmë të tjerët. Dhe ju keni qenë ai shembull. Për këtë arsye, unë jam shumë i nderuar të ua dorëzoj titullin Oficer i Urdhrit të Nderit”, ka deklaruar Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert.

Valon Murtezaj, profesor universitar në Paris dhe ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, për merita të shquara, me dekret të Presidentit të Republikës franceze është dekoruar me Urdhrin Kombëtar të Meritës, ditë më parë.

Kjo dekoratë, u akordohet personaliteteve më eminente botërore, për merita dhe të arritura të shquara jetësore në fusha të ndryshme.

Urdhri Kombëtar i Meritës është krijuar në vitin 1963 nga Presidenti Charles de Gaulle, dhe bashkë me Urdhrin e Legjionit të Nderit janë dy urdhrat më të lartë të Francës.