Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Marrëveshja IPA 2016 unifikon deputetët e të gjitha partive

Projektligjin për ratifikim të marrëveshjes IPA-2016 e ka paraqitur në seancë ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha.

Me këtë rast ajo tha se kjo marrëveshje financiare rregullon zbatimin e programit IPA 2016, pjesa e parë, i cili përfshin 6 projekte të cilat do të ndihmojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, të drejtat e komuniteteve, rritjen e konkurrueshmërisë për ndërmarrjet kosovare, si dhe përkrahjen për lidhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në tërësi, programi konsiston në financimin e 45.5 milionë euro nga ana e Bashkimit Evropian për Kosovën, ndërsa shuma totale e përfshirë është 71.15 milionë euro, ku përfshihen edhe ofrimi i kredive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 20.5 milion për operatorët privatë, si dhe një shumë bashkëfinancimi nga ana e Kosovës në vlerë prej 4.75 milion ku 2.75 milion janë nga Ministria për Kthim dhe Komunitete, 1 milion nga Ministria e Integrimit dhe 1 milion nga Ministria e Arsimit. Përfituesit individual të granteve do të bashkëfinancojnë vlerën totale të marrëveshjes financiare në shumë prej 400 000 EURO.”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka ftuar të gjithë që të miratojnë projektligjin në fjalë, dhe menjëherë pas kësaj do të finalizohet që sa më parë të bëhet hyrja në fuqi, ashtu që fondet e parapara me këtë marrëveshje të fillojnë zbatimin për projektet për të cilat janë planifikuar.

Hoxha ka njoftuar se afati përfundimtar për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje financiare është 31 dhjetori i këtij viti, transmeton Kosovapress.

Pro këtij projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare për fondet IPA 2016 janë shprehur edhe përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës.

Edhe deputeti i VV-së Dardan Sejdiu tha se ata do të votojnë pro ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për fondet IPA. Por ai e quajti për keqardhje mos praninë e kryeministrit Ramush Haradinaj i cili dje me zell qëndroi tërë ditën në seancë derisa sot për një marrëveshje kaq të rëndësishme për Kosovën.