Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bushati: Rasti i Kosovës jo i ngjashëm me Katalonjën

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti sot në ambientet e MEPJ, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane si dhe Ministër i Emigracionit dhe i Azilit të Dukatit të Madh të Luksenburgut, Jean Asselborn.

Në konferencën për shtyp pas takimit, Bushati u shpreh se “u morën në shqyrtim raporti i marrëdhënieve dypalëshe. U diskutua mbi ndihmesën që Luksemburgu ka dhënë në procesin e integrimit evropian, për marrjen e statusit dhe për reformën në drejtësi”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Shkëmbyem pikëpamje dhe përsa i përket situatës së mjedisit dhe sigurisë në rajon. Sa i përket marrëveshjeve dypalëshe kemi rënë dakord për shmangien e taksimit të dyfishtë si një mekanizëm i nevojshëm për investime në fushën e ekonomisë”, tha Bushati, i cili shtoi se, “njoha ministrin me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, kur jemi pak ditë nga fillimi i punës së parlamentit të ri, mbi ambicien politike të mazhorancës si dhe zhvillimet e fundit në rajon dhe duke ritheksuar rolin që Shqipëria do të fillojë të luajë sa i përket stabilitetit rajonal”.

“Pata kënaqësinë të dëgjoja pikëpamjet dhe analizën e ministrit Asselborn për zhvillimet në BE, të cilat janë intensifikuar brenda BE dhe në një farë mënyrë kanë pasoja për të gjithë BE-në si dhe çështjet e sigurisë, emigracionit dhe azilkërkimit si dhe çështjet e luftës kundër terrorizmit”, tha kryediplomati shqiptar.

I pyetur mbi deklaratën e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili është shprehur se rasti i Katalonjës është i ngjashëm me atë të Kosovës, Bushati tha se, “çdo krahasim mes Kosovës dhe rastit të Katalonjës do ishte i padobishëm sepse nuk është i krahasueshëm në të drejtën ndërkombëtare dhe as me mënyrën sesi janë zhvilluar ngjarjet”.

I pyetur për ecurinë e procesit të Vettingut, Bushati tha se, “presim rezultatet paraprake nga procesi i vetingut që do të fillojë me nivelet e larta të gjyqësorit dhe të prokurorisë. Forcimi i shtetit të së drejtës është i një rëndësie thelbësore për shëndoshjen e jetës publike në tërësi dhe t’i jepet mundësia KE për të parë rezultatet dhe të nisë procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë. 2018-a është një skenar krejt objektiv për hapjen e negociatave”.

Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane si dhe Ministër i Emigracionit dhe i Azilit të Dukatit të Madh të Luksenburgut, Jean Asselborn duke folur për situatën në Katalonjë tha se, “asgjë nuk është e lehtë në Evropë, por është e rëndësishme t’i japim fund dhunës. Duke folur për Spanjën mendoj se duhet të gjendet dialogu me Madridit dhe Katalonjës”.

Asselborn theksoi se sa i përket marrëdhënieve ekonomike mund të bëjmë shumë më mirë në të ardhmen.

Sa i përket turizmit, tha ai, do të përpiqemi të promovojmë Shqipërinë sa më tepër në mediat e Luksemburgut në mënyrë që të ketë sa më shumë turistë që vizitojnë Shqipërinë.

Duke folur për fenomenin e azilkërkimit, Asselborn theksoi se, “lëvizja e lirë pa viza nuk është qëllimi që të hapen vendet e BE, por që të zhvillohet mundësia e lëvizjes së lirë, jo që të rriten kërkesat për azil. E di që keni punuar shumë për të informuar qytetarët mbi azilkërkimin. Por nëse ata kërkojnë azil, procedura nuk mund të vazhdojë për vite të tëra dhe na duhet t’i kthejmë. Po ashtu shqetësues është problemi i fëmijëve të mitur që sillen në vendet e BE për t’u braktisur aty”.

Asselborn shtoi se, “reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme, por dhe reforma për administratën publike, lufta kundër korrupsionit dhe reformat të tjera mjaft të rëndësishme. Drejtësia është në majën e piramidës. Duhet drejtësi që të kesh të gjithë të tjerat. Mendoj se keni nevojë për këtë reformë jo që të bëheni anëtarë në BE por që të keni mundësi të keni një zhvillim sa më të madh”.