Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Quni e quan të papranueshme që Thaçi foli me Vuçiqin por jo me Mustafën për Ushtrinë

Anton Quni, deputeti i LDK-së, e ka quajtur të papranueshëm dhe të lëndueshëm faktin që presidenti i vendit Hashim Thaçi ka folur me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq menjëherë pas iniciativës për transformim të FSK-së në Ushtri dhe një gjë të tillë nuk e ka bërë me kryeministrin e vendit Isa Mustafa.

Ai thotë se ky është gabim i presidentit dhe ai është dashur të konsultohet jo vetëm me kryeministrin Mustafa, por edhe me ekspertë të shumtë për çështjen e Ushtrisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nga deklarata e Thaçit para mediave lidhur me këtë temë ai ka thirrur në një unitet që të përkrahin idenë për iniciativën e tij. Kjo është që në start e lëndueshme kur dihet fakti që nuk e ka konsultuar fare kryeministrin Mustafa, por ka biseduar me kryeministrin e Serbisë Vuçiq. Kjo është absolutisht e papranueshme. Ka qenë e rrugës që të flasë jo vetëm me kryeministrin, ministrin, por edhe me shumë ekspertë që të kërkojë zgjidhje sepse është iniciativë me interes të lartë nacional”, ka thënë Quni në Interaktiv të KTV-së.

Ai po ashtu ka thënë se Thaçi mund të marrë merita për krijimin e Ushtrisë, por sipas Qunit, me rëndësi është që vetëm të bëhet Ushtria. “Megjithatë, duhet Ushtri që nuk kundërshtohet nga partnerët strategjikë”, ka shtuar ai.

Kujtojmë se Thaçi në deklaratën e tij për media të mërkurën kishte thënë se Vuçiqit i ka thënë se Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për askënd.

“Për më tepër, unë si president duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për reagime të tilla, qysh dje kam zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Serbisë, për t’i komunikuar atij vendimin tim dhe për t’i bërë të qartë se FSK-ja, as në mandatin e saj të tanishëm dhe as në mandatin e saj të ri, të cilin shpresoj se do ta marrë shumë shpejt, nuk paraqet asnjë kërcënim as për Serbinë dhe as për asnjë shtet tjetër kudo në botë”, kishte thënë ai.