Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Avokati i deputetit Krasniqi e cilëson “lëndim të lehtë” sulmin ndaj deputetit Zeka

Tomë Gashi, avokat i deputetit të Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, ka treguar se mbrëmë në orët e vona është intervistuar në polici klienti i tij, si i dyshuar për shkaktim të lëndimeve, siç thotë avokati, “të lehta trupore” ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka.

Kjo ka ardhur pas incidentit të ndodhur ditën e djeshme në një debat të televizionit Klan Kosova.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Frashër Krasniqi ka deklaruar se ai ka qenë rëndë i fyer nga Milaim Zeka dhe ka reaguar në afekt. Diku nga mesnata, mbrëmë Prokurori i ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë zotit Krasniqi. Ai pritet të dalë para gjykatësit në Gjykatën Themelore në Prishtinë brenda këtij afati kohor”, ka thënë Gashi, ndërsa ka theksuar se beson që “nuk ka qenë fare e nevojshme masa e arrestit ndaj deputetit Krasniqi pasi që çdo gjë ka qenë live në televizion dhe çdo gjë është lehtë e vërtetueshme se çka ka ndodhur”, raporton Koha.net.

Ai thotë se janë në pritje të seancës në gjykatë ku do të vendoset për këtë çështje se a do të lirohet deputeti Krasniqi apo jo.


“Unë besoj se asnjë arsye ligjore për ndalimin e tij nuk ekziston dhe rasti do të duhej të procedohet në Gjykatë në procedurë të rregullt. Kemi të bëjmë me lëndime të lehta dhe arrestimi është masë tepër e ashpër për këso rastesh. Por ...”, ka përfunduar avokati Tomë Gashi, duke mos treguar se çfarë ka dashur të thotë me fjalinë e fundit të lënë gjysmë.

Ndërkaq, Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh, nuk e ka cilësuar as si të lehtë e as si të rëndë lëndimin e deputetit Zeka, por vetëm si “lëndim trupor/kanosje”:

LËNDIM TRUPOR/KANOSJE

Prishtinë, më 29.09.2017-17:40. Raportohet se dy meshkuj K/Shqiptarë janë sulmuar mes veti, njëri prej tyre ka pranuar trajtim mjekësor. Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit njëri prej tyre është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar.