Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dënuar sulmin e fundit që ndodhi mes dy deputetëve Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka, në një studio televizive.
Ai madje ka bërë thirrje që ky akt të dënohet, gjithashtu ka kërkuar që deputetët të debatojnë e t’i shmangen dhunës e agresionit.
Postimi i Haradinajt në Facebook:
Akt tërësisht i papranueshëm, ajo çfarë ndodhi në studion e TV Klanit, mes deputetëve Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka.
Akte të tilla agresive duhet të dënohen dhe u bëj thirrje organeve të drejtësisë që të merren me këtë rast në mënyrë meritore, duke ndarë drejtësinë në mënyrë të paanshme.
Ftoj të gjithë qytetarët e vendit, e veçmas zyrtarët e shtetit, përkatësisht përfaqësuesit e popullit, që të kursehen nga përdorimi i diskursit të dhunshëm, njëherësh të debatojnë në mënyrë të qytetëruar për të gjitha çështjet, duke shmangur dhunën dhe agresionin.