Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku po qëndron për takime me krerë të lartë shtetërorë atje ka folur edhe për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës e Malit të Zi.
Thaçi, që në cilësinë e Ministrit të Punëve të Jashtme kishte nënshkruar marrëveshjen që është kontestuar, ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës se institucionet e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore edhe në raport me fqinjët si edhe obligimet në raport me bashkësinë ndërkombëtare.
“Mali i Zi është në fakt partner strategjik i Kosovës. Kemi fqinjësi shumë të mirë. Nuk kemi çështje të hapur dhe do të vazhdojmë të jemi partnerë strategjikë tanimë që Mali i Zi është futur edhe në NATO. Ne e diskutuam sot edhe me Zëvendëspresidentin Pence këtë çështje dhe kërkohet nga administrata amerikane që Kosova të përmbyllë sa më shpejt këtë çështje, që po mban peng dhe është kriteri i vetëm për liberalizimin e vizave. Askush nuk të mbështet nëse ndërton raporte jo të mira me fqinjët. Ne mjaft probleme kemi me Serbinë. Nuk mund të hapim probleme edhe me fqinjë të tjerë, të cilat mund të na kushtojnë në perspektivën tonë integruese me dekada”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se Marrëveshja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi ka kaluar përmes Komisionit shtetëror të Republikës së Kosovës dhe Komisionit të Malit të Zi, si dhe është vlerësuar nga ekspertë ndërkombëtarë të angazhuar në atë kohë nga ish-presidentja Jahjaga.
“Kemi gjithashtu edhe vlerësimin e Departamentit të Shtetit për atë marrëveshje. Kemi edhe vlerësimin e NATO-s se gjithçka ka shkuar sipas Kushtetutës së vitit 1974 dhe sipas dokumentit të Presidentit Ahtisari, prandaj do t'i kryejë obligimet e veta kushtetuese e ligjore, të cilat do të përshpejtojnë procesin integrues”, ka thënë Thaçi.
Sipas Thaçit, ajo çka duhet të bëjnë të gjithë në Kosovë, është që të diskutohet shumë seriozisht kjo çështje, si të lëvizet përpara dhe tanimë gjithçka është në duart e parlamentit të Republikës së Kosovës.
“Parlamenti mund t'i japë përgjigje kësaj çështjeje, sepse studimet, analizat, të gjitha janë të përmbyllura; kemi 4 vlerësime nga dy komisionet e Kosovës dhe Malit të Zi dhe të ekspertëve ndërkombëtarë amerikanë, britanikë dhe gjermanë, si dhe vlerësimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, edhe të NATO-s. Nuk besoj se SHBA dëshiron ta cënojë integritetin territorial, kur vetë e ka njohur me atë hapësirë territoriale Republikën e Kosovës dhe me këtë hapësirë Kosova është njohur edhe nga 114 shtete të botës. Të gjithë ne duhet të ngrihemi mbi angazhimet e politikës ditore në përmbylljen e këtij procesi, që do të hapë një perspektivë të sigurt dhe të shpejtë për liberalizimin e vizave. Prandaj, gjithë spektri politik në Kosovë pa asnjë dallim, duhet të punojë maksimalisht dhe i ftoj të prodhojmë argumente edhe më pozitivë për miqtë dhe partnerët tanë të përjetshëm SHBA, të cilët na mbështesin me konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë”, ka thënë Thaçi.