Arbëri

Qeveria dënon incidentin mes deputetëve, fton drejtësinë të merret me rastin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Qeveria që ai drejton e kanë pritë me shqetësim incidentin që ndodhi në studion e TV Klanit, mes deputetëve Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka.

Kështu është thënë në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrisë, në të cilën është thënë gjithashtu se Qeveria e “dënon ashpër këtë akt të shëmtuar i cili ashiqare dëshmoi agresionin e pashembullt të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi ndaj Milaim Zekës, po ashtu deputet i Kuvendit të Kosovës”.

“Kryeministri Haradinaj fton të gjithë qytetarët e vendit, e veçmas zyrtarët e shtetit, përkatësisht përfaqësuesit e popullit, që të kursehen nga përdorimi i diskursit të dhunshëm, njëherësh të debatojnë në mënyrë të qytetëruar për të gjitha çështjet, duke shmangur dhunën dhe agresionin”, thuhet në njoftim. “Qeveria e Kosovës u bën thirrje organeve të drejtësisë që të merren me këtë rast në mënyrë meritore, duke ndarë drejtësinë në mënyrë të paanshme”.