Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka folur në lidhje me deklaratat e fundit që u dhanë për sa i përket zgjedhjeve në Gjermani të cilat do të mbahen nesër.
Thaçi thotë se nuk është punë e Kosovës që të interferojë në zgjedhjet e nesërme në Gjermani, ndërsa në emër të kosovarëve e falënderoi popullin gjerman dhe kancelaren Angela Merkel, për ndihmën e madhe që i kanë dhënë Kosovës në situatat më të vështira.
“Nuk është e jona të inteferojmë në asnjë rrethanë në këto zgjedhje, por duhet ta falënderoj kancelaren Merkel dhe popullin gjerman për ndihmën e madhe që kanë dhënë për popullin dhe shtetin e Kosovës në situatat më të vështira”, tha Thaçi në një intervistë për televizionin publik.
Kancelarja Merkel, sipas tij, ka treguar humanitetin, lidershipin dhe vizionin e saj, jo vetëm për Gjermaninë, por edhe më gjerë, si një politikane me vizion global.
“Prandaj edhe sot edhe nesër edhe përjetësisht, shqiptarët kudo që jetojnë, në Kosovë, në Gjermani do t’i jenë mirënjohëse kancelares Merkel, të cilës i dëshirojmë sukseset më të mira”, përfundoi Thaçi.