Arbëri

Gashi: FBI-ja vërteton pafajësinë e aktivistëve të VV-së

Tomë Gashi, avokati mbrojtës i deputetit të VV-së, Frashër Krasniqi për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, ka thënë se raporti i FBI-së lidhur me videomaterialet e Prokurorisë, shfajëson katër të akuzuarit për terrorizëm.

FBI-ja përmes një raporti sot ka njoftuar se nuk ka gjetur asnjë imazh të të akuzuarve në videomaterialet që Prokuroria i kishte dërguar për analiza.

“FBI-ja nga Departamenti amerikan i drejtësisë shfajëson aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Raporti të cilin e morëm sot nga gjykata në mënyrë të padyshimtë vërteton se asnjë imazh i marrë nga policia me rastin e gjuajtjes me granatahedhës të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës nuk përputhet me krahasimet e fytyrave të analizuara”, ka njoftuar Gashi përmes një postimi në Facebook.

“Kjo do të thotë se asnjëri prej aktivistëve të Vetëvendosjes nuk është fajtor për veprën penale për të cilën po akuzohen. Gjithçka po vjen në vendin e vet, pafajësia po vërtetohet, por ajo që nuk mund të përmirësohet është vrasja e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit për këtë rast”, ka shkruar ai.