Arbëri

Pacolli: Po e shqyrtojmë tërheqjen nga kandidimi për Interpol

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova mund të tërhiqet nga kandidimi për anëtarësim në Interpol për shkak se është larg sigurimit të votave të mjaftueshme për anëtarësim.

Sipas tij, Kosova nuk ka punuar mjaftueshëm për këtë anëtarësim, por problemet janë shtuar edhe se Samiti i radhës do të mbahet në Kinë, që nuk e njeh shtetin e Kosovës.

“Anëtarësimi në Interpol ka kërkuar një punë më të madhe dhe një angazhim më të madh. Në momentin kur kam ardhur kam pa se është punuar, por jo sa duhet. Unë jam shumë skeptik dhe nuk jam fare i inkurajuar që ne të themi se çdo gjë do të shkojë si duhet në këtë anëtarësim, sepse nikoqiri i këtij samiti ka barikaduar çdo gjë. Akoma s’i ka dërguar vizat që përfaqësuesit tanë të marrin pjesë. Është përgjegjësi e madhe që të them të tërhiqemi. E them me bindje se njerëzit do ta kuptojnë, por ndoshta në bashkëpunim, sidomos me SHBA-në, duhet të bëjmë tërheqje taktike dhe të bëhemi gati për samitin e ardhshëm të vitit të radhës, që do të mbahet në Abu Dhabi ku edhe të kemi votat e mjaftueshme. Të mos lejojmë të zhgënjehemi”, ka thënë ai për Interaktiv të KTV-së.

Pacolli ka thënë se për pak ditë pune ka siguruar 25 nota verbale që konfirmojnë mbështetjen në samitin e radhës të Interpolit, por që është shumë larg numrit të mjaftueshëm të votave për pranim. Aty ka thënë se duhet të jenë 115 vota pro.