Arbëri

Ismaili: Fajtorët do të japin përgjegjësi për vdekjet e dyshimta në QKUK

Fajtorët e vdekjeve të dyshimta javëve të fundit të pacientëve në QKUK do të japin përgjegjësi, sipas ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili.

Në Interaktiv të KTV-së, Ismaili ka thënë se shteti është duke kryer hetimet për vdekjet e javëve të fundit dhe sapo të dalë përfundimisht rezultati dikush do të japë përgjegjësi.

“Ka qenë rast shumë i rëndë dhe ka filluar me një rast tronditës jo vetëm për familjen por edhe për gjithë opinionin kosovar. Janë marrë disa hapa nga QKUK-ja si formimi i komisioneve. Mbi bazën e hetimeve preliminare është dyshuar se nga ka mundur të jetë shkaktari dhe MSH ka dalë prapë me komisione të tyre që të jetë një hetim paralel - një mbikëqyrës që të shohë pistat e dyshimit. Kam kërkuar që investigimet të jenë në nivelin më të lartë. Përgjegjësi duhet të jepet. Në fund duhet të na jepet një përgjigje. A ka qenë vdekje natyrale apo vdekje e ndikuar nga diçka. Kushdo që ka qenë përgjegjës duhet të japë përgjigje”, ka thënë ai.

Duke folur për gazin medicinal që po dyshohet se është shkaktari i këtyre vdekjeve, Ismaili ka shtuar se kjo është pista kryesore e hetimeve, por pas hetimeve do të kuptohet se a ka qenë fajtor SHSKUK që e ka blerë gazin, apo te kompania që e ka shitur atë.

Në fund ai ka thënë se qysh në momentin që do të merret vesh fajtori, do të ketë shkarkime dhe kërkim përgjegjësie.