Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

OJQ-të, kërkesë Qeverisë që të ndajë buxhet për personat e dhunuar gjatë luftës

Organizatat Joqeveritare të autorizuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për pranimin e aplikacioneve dhe kryerjen e detyrave për konstatimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, po kërkojnë nga kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Financave, Bedri Hamza dhe nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, që të ndahet buxheti për procesin e Njohjes dhe Verifikimit të Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare ne Kosovë.

Përmes një kërkese, të cilën ua kanë dërguar edhe mediave, këto Organizata, edhe në emër të Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK) dhe të mbijetuarve të dhunimit gjatë luftës, kanë paraqitur, përveç Kërkesës për ndarjen e buxhetit për procesin e Njohjes dhe Verifikimit të Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë, edhe përcaktimin e pensionit personal për personat e dhunuar gjatë luftës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

OJQ-të thonë se edhe përkundër emërimit të të gjithë anëtarëve të Komisionit, përzgjedhjes së Sekretarisë, autorizimit të organizatave joqeveritare që do ta mbështesin procesin e verifikimit dhe trajnimeve obligative për të gjithë anëtarët, “ende nuk është ndarë buxheti për këtë kategori”.

“Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, është themeluar me Vendim të Kryeministrit (Nr.06/143) të datës 28.04.2017, ndërsa në bazë të nenit 27 të Rregullores (QRK) nr. 22/2015 për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, zyrtarizimi i punës së Komisionit fillon pas mbajtjes së trajnimeve bazike dhe jo më larg se tre (3) muaj pas emërimit nga Qeveria. Afat ky i cili tani më është tejkaluar në mungesë të ndarjes së buxhetit për këtë proces”, thonë këto organizata, raporton Koha.net.

Prandaj, në emër të të mbijetuarve të dhunës seksuale, organizatat e poshtëpërmendura kërkojnë nga kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Financave, Bedri Hamza dhe nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica që “në rishikimin e buxhetit të vitit 2017, të ndahen mjetet buxhetore për procesin e Njohjes dhe Verifikimit të Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare në Kosovë si dhe përcaktimin e pensionit personal për personat e dhunuar gjatë luftës”.

Organizatat e shoqërisë civile janë:

1. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës - QKRMT

2. Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës - RRGGK

3. Medica Kosova

4. Medica Gjakova

5. Qendra për Promovimin e te Drejtave te Grave