Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LB: Demarkacioni sa më shpejt të procedohet në Kuvend

Lëvizja për Bashkim, përmes një komunikate për media, ka kërkuar që marrëveshja e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi të dërgohet sa më shpejt në Kuvend për votim.

LB thotë se vendimi i parë i qeverisë së re ka qenë shkarkimi i anëtarëve të Komisionit Shtetëror që ka qenë bashkë-hartues, nga pala e Kosovës, i marrëveshjes për demarkacionin dhe emërimi në krye të komisionit të ri i një prej kundërshtarëve kryesor të këtij version të marrëveshjes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërkohë, sipas LB-së, ka pasur reagime edhe nga Mali i Zi, i cili e konsideron të panevojshëm rinegociimin e demarkacionit në këto kushte, përderisa e ka ratifikuar në parlamentin e vet dhe është nënshkruar nga përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe përderisa nuk ka një kontest juridik zyrtar në mes të dy vendeve.

“Lëvizja për Bashkim, duke qenë se edhe në kohen e protestave, peticionit e gazit lotsjellës për demarkacionin ka deklaruar se e vetmja rrugë për ta kontestuar marrëveshjen për demarkacion është rrëzimi i saj në Kuvendin e Kosovë, thërret qeverinë e vendit që sa më parë ta procedojë në Kuvend marrëveshjen aktuale dhe të mos humb kohë me krijimin e komisioneve të reja, të cilat nuk prodhojnë asnjë efekt juridik në raport me Malin e Zi. Demarkacioni nuk është thjesht çështje gjeografie e historie, por mbi të gjitha është çështje të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e LB-së.

LB-ja thotë se vetëm pas rrëzimit të kësaj marrëveshjeje në Kuvend, krijohet kontest juridik i ri me Malin e Zi dhe vetëm atëherë mund të bëhen përpjekje ose të rinegociohet marrëveshja, ose të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar.

“Sa më shumë që politika jonë të vonohet me këtë proces, aq më shumë do t’i rrisë tensionet e brendshme politike dhe do t’i dënojë qytetarët e vendit me zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave. Një herë u gabua dhe i pamë pasojat, përsëritja e gabimit është e papranueshme”, ka theksuar ky subjekt politik.