Arbëri

Haradinaj: Nuk kam ardhur as të miratoj as të amnistoj gabimet në demarkacion

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë sot se Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, është një temë që qeveritë paraprake e kanë bërë gabim.

“Unë nuk kam vullnet të dalë kundër botës dhe nuk e bëjë për shkak se kam dëshirë me dalë kundër të tjerëve, mirëpo dikush ka gabuar në të kaluarën”, ka thënë kryeministri Haradinaj, gjatë një takimi me gazetarë në Prishtinë, përcjell rel.

“Unë nuk kam ardhur të miratoj gabimet e askujt dhe as të amnistoj gabimet”, ka thënë tutje ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj, që në mbledhjen e parë të Qeverisë së re të Kosovës, e shkarkoi Komisionin Shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, që udhëhiqej nga Murat Meha.

Në vend të Murat Mehës, me të cilin Haradinaj kishte mospajtime të shumta sa ishte në opozitë, ai emëroi ish-deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, po ashtu kundërshtar i versionit të marrëveshjes së arritur me Malin e Zi, në krye të këtij Komisioni.