Arbëri

Pacolli takohet me Berishën dhe Bashën, diskuton avancimin e marrëdhënieve

Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës se Kosovës, Behgjet Pacolli, në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Shqipërisë, përpos takimeve me liderët institucional ka takuar edhe Kryetarin e Parisë Demokratike dhe njëherësh lider i opozitës, Lulzim Basha si dhe ish-Kryeministrin Sali Berisha.

Në të dyja këto takime është diskutuar lidhur me progresin e arritur në marrëdhëniet në mes dy vendeve tona, si dhe lidhur me intensifikimin e përpjekjeve të reja nga të dyja anët për të avansuar edhe më tej fuqizimin e marrëdhënieve.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur kënaqësinë e tij lidhur me takimin me Zëvendës-Kryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Basha, gjithashtu, ka theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe ka kërkuar heqjen e barrierave tregtare si dhe lehtësimin e lëvizjeve kufitare.

Pacolli, gjatë takimeve me liderin e Partisë Demokratike ka përkrahur idenë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik përmes krijimit të pikave të përbashkëta doganore, sikurse ajo në Durrës si dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve nga të dyja anët.

Në ndërkohë, gjatë takimit me Ish-Kryeministrin Berisha, ky i fundit i ka uruar sukses Pacollit për detyrën e re, duke shprehur besimin që ai dhe qeveria e tij do të kenë sukses, veçanërisht në fushën e njohjeve, në të cilën, sipas tij, në dy vitet e fundit ka pasur stagnim.

“Njohjet janë të rëndësishme për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, posaçërisht atë qeverisëse që t’i respektojnë marrëveshjet. Marrëveshjet në planin e brendshëm dhe ato në nivelin rajonal duhet të respektohen. Prej marrëveshjeve Republika e Kosovës përfiton. Të dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakord për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik pa barriëera mes dy vendeve dhe të hekurudhës si ndërlidhje të ekonomisë së Kosovës me portet.

Në fund të takimeve Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli i ftoi Berishën dhe Bashën që ta vizitojnë Kosovën.