Arbëri

VV-ja - Eicchorstit: Kjo qeveri me avaz të vjetër me prioritete të caktuara nga Serbia

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, nënkryetarja e Kuvendit nga Vetëvendosje Aida Dërguti dhe shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, takuan sot në zyrat e BE-së në Kosovë, Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në EEAS, Angelina Eicchorst.

Sipas njoftimit zyrtar të VV-së, thuhet se në takim u diskutua situata politike në vend, puna e mëtutjeshme e Parlamentit të Kosovës dhe mbi hapat e Kosovë në lidhje me agjendën evropiane, si dhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor.

“Me theks të veçantë u diskutua mbi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe zbatimin e saj. Nga Eicchorst u theksua nevoja e Kosovës për avancim më të shpejtë në proceset evropiane. Kurse, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje ngritën shqetësimet e tyre për logjikën qeverisëse të kësaj qeverie e cila po vazhdon hapave të njëjtë me ato të mëparshmet: qeverisje pa program zhvillimor e pa strategji shtetndërtuese, duke vazhduar avazin e vjetër të prioriteteve të caktuara nga agjenda e Serbisë”, thuhet në njoftimin për media.

“Po ashtu kundërshtuan rritjen e ndikimit politik të Serbisë përmes Listës Serbe, dhe tash thellimin e bashkëpunimit të kësaj Liste me partinë e Putinit. Nga të dyja palët u konstatua nevoja për takime të tjera dhe komunikim të vazhdueshëm”, thuhet më tej në njoftim.