Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjermania thotë se Kosova nuk ka bërë përparim drejt integrimit evropian

Zëvendës ambasadori i Gjermanisë Jan-Axel Voss, tha se Kosova nuk ka bërë përparim drejt integrimit evropian dhe që pret nga qeveria e re që të fokusohet edhe më shumë në reforma dhe të vazhdojë aty ku e ka lënë qeveria e kaluar.

Ai këto komente i bëri me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Integrimit dhe Ambasadës Gjermane, “Mbështetje për procesin e Integrimit Evropian në Kosovë, Faza III”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Voss deklaroi se pret që Kosova të bëjë më tepër përparim në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, raporton Ksp.

“Kosova nuk ka bërë përparim drejt integrimit evropian kështu që ne presim që qeveria e re, të cilën e pritëm për afër tre muaj, do të fokusohet edhe më shumë në reforma të vazhdojë aty ku qeveria e ka lënë dhe të shfrytëzoj forcat e reja që i ka dhe t’i zbatojë ata hapa të cilët e sjellin më afër Bashkimit Evropian. Reformat që janë të rëndësishme nuk janë fundi në vetvete, vetëm janë që të përcaktohet një ekonomi e tregut të lirë që është demokratike, që ju shërben nevojave të njerëzve të saj. Duke shikuar në brezin e ri në veçanti i cili është burimi më i rëndësishëm për zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës. Ne besojmë që qeveria e Kosovës duhet të përqafojë plotësisht perspektivën e integrimit evropian të vendit si mjet për të shpejtuar reformat themelore në fushat e sundimit të ligjit, reformat ekonomike”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se mbështetja e këtij projekti nga GIZ këto pesë vitet ka ofruar ekspertizë të vlefshme në zbatimin e reformave evropiane në Kosovë.

Ajo tha se projekti në fillim është lansuar në 2012 që ka qenë vit kritik në këtë proces, kur të gjitha institucionet e Kosovës kanë qenë të angazhuar në punë intensive që kanë quar tek MSA-ja. Por, sipas saj projekti ka ofruar një mbështetje shumë të mirë dhe kontribut të mirë për institucionet e Kosovës.

“Pjesë e rëndësishme e projektit ka qenë mbështetja në ndërtimin e kapaciteteve që i ka dhënë projekti për parlamentin, duke u dhënë ndihmë në harmonizimin e ligjeve drejt procesit të integrimeve evropiane duke kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e obligimeve të MSA-së. Mbështetja e Gjermanisë është shumë kritike në këtë proces dhe partneriteti i këtyre dy shteteve do të jetë edhe më kritik si fushë drejtuese për reformat afatgjate të cilat Kosova do ti ndërmarrë”, tha ajo.

Po ashtu, ministrja u zotua për rezultate edhe më të mira dhe të kësaj marrëveshje.

Kurse, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se përkrahja e qeverisë Gjermane po konfirmohet edhe një herë në mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në administratë.

“Përkrahja e vazhdueshme në këto procese vitale për integrim nga të gjithë partnerët tanë është treguesi më i mirë i zhvillimit dhe i avancimit të punës tonë karshi agjendës evropiane. Marrëveshja e stabilizim-asocimit, agjenda e reformave evropiane tashmë janë punë ditore e administratës së Kuvendit. Marrëveshja që sot nënshkruajmë është rezultat i punës tonë në partneritet i Kuvendit me GIZ dhe me partnerët e tjerë përkrahës për avancimin dhe përmbushjen të detyrimeve që shteti jonë ka para vetës”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i GIZ, James Macbeth Forbes, u shpreh se ndjehet i lumtur që do të ketë mundësinë të punojë me Kosovën edhe për tri vitet e ardhshme.

Ndërkohë që një nga rezultatet më të mira sipas tij në këtë bashkëpunim është strategjia kombëtare për integrime evropiane të Kosovës.

“Një nga rezultatet e dukshme është strategjia kombëtare për integrime evropiane të Kosovës që ka shkuar në planin kombëtar pasi që është nënshkruar MSA-ja, që është kontrata më domethënëse mes dy entiteteve. Pra, Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe kjo do të jetë puna jonë për tri vitet e ardhshme”, tha ai.