Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, vizitën e parë si kryeministër po e realizon në QKUK.
Haradinaj është i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli dhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, të cilët janë pritur nga drejtori i Emergjencës Basri Lenjani, nga i cili po informohen për kushtet dhe punën e tyre, raporton Ksp.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Gjatë kësaj vizite kryeministri Haradinaj u prit nga drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj dhe nga drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani.
Me këtë rast kryeministri Haradinaj tha se qëllimi i kësaj vizite është të shohë nga afër kushtet në të cilat gjendet QKUK-ja, si dhe për të shprehur përkrahjen e plotë për shëndetësinë kosovare.
“Falënderoj personelin mjekësor në të gjitha nivelet për një punë vërtet heroike dhe që gjithë kohën jeni në presion dhe në vështirësi. Së dyti u them se nuk do t’ju lëmë vetëm, pra dua të jem me ju që ta përmirësojmë gjendjen në shëndetësi”, tha kryeministri Haradinaj.
Gjocaj, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, tha se me kryeministrin Haradinaj në krye shëndetësia do të jetë prioritet.
“Për hir të së vërtetës deri më tani kemi marrë mbështetje kryesisht me fjalë, por shpresojmë se vërtet shëndetësia do të jetë prioritet i qeverisjes tuaj. Besojmë se do t’ia dalim në krye që të ofrojmë më të mirën e mundshme për pacientët tanë”, tha drejtori Gjocaj.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se kjo vizitë tregon përkushtimin e madh të Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë, si mbështetje institucionale direkt për punëtorët shëndetësor.
“Do të ketë investime nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por në anën tjetër do kërkojmë dhe përmirësime të shërbimeve, në mënyrë që të ketë cilësi sa më të madhe”, tha ministri Ismaili.
Kujtojmë se mbrëmë Kohavisioni ka raportuar se Emergjenca është pa barna të listës esenciale, derisa alarmin e drejtuesve të saj s’e dëgjon askush.
Ndonëse është adresa kryesore ku drejtohen rastet më të rënda dhe urgjente, Klinika e Emergjencës në QKUK ka mungesë të barnave esenciale. Janë katër lloje të barnave nga lista esenciale, të cilat kjo klinikë në vazhdimësi nuk i posedon, pavarësisht kërkesave të shumta që i bëjnë në Ministrinë e Shëndetësisë, raporton KTV.
Pacientët, por edhe familjarët, ankohen se këto lloje të këtyre medikamenteve, duhet t’i paguajnë me para nga xhepi i tyre.
Drejtori i Emergjencës, Basri Lenjani, i ka thënë mbrëmë KTV-së se pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë e ka obligim që edhe me Ligjin për Shërbime Emergjente t’ua sigurojë barnat e listës esenciale, nuk po e përmbush këtë kërkesë.
Sipas Lenjanit, Klinika Emergjente shumë herë është detyruar që t’i zëvendësojë barnat që i mungojnë. Nuk është vetëm Klinika Emergjente, e cila përballet me këtë problem. Klinikat tjera janë edhe më keq, e më mirë nuk janë as Qendrat e Mjekësisë Familjare.