Arbëri

Përfundon mbledhja e Kryesisë së PDK-së, kjo dhe Nisma e lënë për nesër zyrtarizimin e ministrave

Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së PDK-së dhe askush nuk është prononcuar për media, dhe po ashtu ende asgjë nuk ka zyrtare lidhur me emrat për ministrat e rinj.

Nesër në ora 14:00 pritet të mblidhet grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, ku pritet që të bëhen publikë emrat e kandidatëve për ministra të kabinetit të të mandatuarit Ramush Haradinaj, raporton ksp.

Koha.net ka provuar të kontaktojë disa zyrtarë të lartë të PDK-së, por nuk i janë përgjigjur interesimit të portalit për të mësuar emrat e gjashtë ministrave.

PDK-ja do të ketë numrin më të madh të ministrive, gjashtë sosh, bashkë me një post të zëvendëskryeministrit. Për të pritet të krijohet një ministria, që do të quhet Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Siç mëson Koha.net, PDK siç pritej do të drejtojë edhe kuletën e shtetit, pra Ministrinë e Financave, pastaj Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Integrimeve, si dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Pos PDK-së, ende nuk janë zyrtarizuar as emrat e ministrave që vijnë nga Nisma për Kosovën. E Nisma, pos një zëvendëskryeministri, që tashmë dihet se do të jetë Fatmir Limaj, do të ketë nën drejtim edhe tri ministri të tjera, atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Arsimit si dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka treguar për Kohën Ditore emrat e katër ministrave që do të marrin postet e larta ministrore në Qeverinë e Kosovës, e cila nesër pret të marrë votëbesimin në Kuvendin e Kosovës.

Pos Pacollit i cili do të mbajë edhe postin e zëvendëskryeministrit të parë edhe atë të ministrit të Punëve të Jashtme, vetë Pacolli ka treguar se në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka propozuar Flamur Sefaj, për ministre të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitajn, ndërsa ka konfirmuar atë që ka raportuar një natë më parë Koha.net se Valdrin Lluka pritet të marrë nën drejtim Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

AKR-ja e Behgjet Pacolit u bë pjesë e PAN-it, fillimisht me kushtin që asaj t’i takonin 5 ministri dhe posti i zëvendëskryeministrit të parë, por iu desh të heqë dorë nga Ministria e Bujqësisë për të cilën insistonte që ta mbante Lista Serbe. Presionit të saj iu dorëzuar PANA, derisa nesër pritet votimi në Kuvend i Qeverisë Haradinaj, në seancën e jashtëzakonshme e cila është thirrur për në orën 16:00.

Edhe AAK-ja tashmë ka zyrtarizuar emrat e dy ministrave të saj, Pal Lekaj do të jetë ministër i Infrastrukturës, derisa Rrustem Berisha do të propozohet për ministër të FSK-së.