Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Parku Kombëtar i Lurës po përpiqet të rilindë mes shkatërrimit

Tiranë, 7 shtator – Parku Kombëtar i Lurës gati u shkatërrua plotësisht dhe pyjet e tij u prenë e u dëmtuan nga sipërmarrje të ndryshme biznesi në vite, por edhe nga vetë banorët e zonës rreth tij, shkruan atsh.

Shkatërrimi i ekosistemit është ndier edhe te liqenet akullnajore, që përbëjnë ndoshta pjesën më të veçantë të këtij parku.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ata zënë më se 26.6 hektarë të hapësirës së përgjithshme të tij.

Duket një histori e largët, koha kur këtu lëvizte gjitari më i madh në vend: ariu i murrmë, ashtu sikurse rrëqebulli, kaprojtë apo sorkadhet, e po ashtu gjeli i egër.

Të gjitha kanë qenë specie që jetonin në numër të konsiderueshëm në Lurë, e që sot janë pothuajse zhdukur.

Por, tashmë jo gjithçka është gri. Mes trungjeve të prerë ka jetë, ose më mirë, ajo po përpiqet të rilindë mes shkatërrimit.

Janë ende gjurmë të vogla, por që tregojnë dëshirën e natyrës për të rimarrë frymë, për të shëruar e mbyllur plagët, duke i dhënë këtij vendi shpresë për rikthimin e fytyrës së dikurshme.

Pemët e reja kanë filluar të rriten shpejt dhe pas disa vitesh ato do të bëhen pyll, një pyll i bukur si dikur.

Moratoriumi i pyjeve i ka dhënë një mundësi jete Parkut Kombëtar, që ka nisur një rigjenerim të tijin. Shpërndarja e natyrshme e farave ka nisur të japë edhe ajo rezultatet e saja.

Shteti shqiptar ka investuar në këtë drejtim, teksa është investuar në një sipërfaqe prej 20.6 hektarësh me lloje të ndryshme halorësh, siç është pisha e zezë, ardeni, hartina, që janë mbjelle.

Janë mbjellë rreth 50.000 fidanë pyll i ri.

Sigurisht që është herët të flasësh për rikthimin e Lurës në gjendjen fillestare, sepse për 25 vite janë prerë pemë me moshë qindravjeçare.

Megjithatë, specialistët mendojnë se në stadin aktual, duke e ndihmuar parkun në forma të ndryshme, gjërat mund të ndryshojnë, edhe pse ndryshimi do të ndihet pas shumë kohësh.

Kjo verë ngjiti edhe vizitorët e parë drejt këtij parku historik që po rilind.

Ata ishin të rinj aventuriere, nostalgjike të kohës së lulëzimit të tij, dashamirës të natyrës dhe kurioze. Nesër, kur rrugët të jenë rregulluar e asfaltuar, turistët e vizitorët do të jenë shume herë më shumë.

Lura është një mundësi jo thjesht për rreth 1.500 banorët që jetojnë gjatë gjithë vitit në këtë fshat të vjetër, por edhe për të gjithë ekonominë e zonës përreth, e më gjerë.

Ka mjaftueshëm vende historike e arkeologjike, kulturore e tradicionale, sa të konsiderohet si një nga perlat e Ballkanit, siç edhe është cilësuar.

“Kush do të shikojë Shqipërinë, duhet të vijë të shikojë Lurën”, thoshte dikur At Gjergj Fishta.

Image

Image