Arbëri

Konjufca: Mustafa donte të ishte kryeministër në detyrë deri më 22 tetor

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka treguar për arsyet që kanë bllokuar arritjen e marrëveshjes mes VV-së dhe LAA-së për formim të institucioneve të Kosovës.

Për mos arritje të marrëveshjes mes këtyre partive, Konjufca në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, fajtor e ka bërë shefin e LDK-së, Isa Mustafën, i cili, sipas Konjufcës, donte që të mbeste kryeministër në detyrë deri në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

“Përgjegjësi kryesor është Isa Mustafa. Ai ka pasur projekt personal që në tetor të shkojmë në zgjedhje duke qenë kryeministër në detyrë. E mbante VV-në në distancë”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka thënë se partia e tij disa herë i ka bërë ftesë Mustafës për të biseduar rreth formimit të qeverisë së ardhshme, por kryetari i LDK-së kishte heshtur dhe vetëm para dy javësh ishte shprehur i gatshëm, duke emëruar Lutfi Hazirin si përgjegjës për këto bisedime.

“Ne i kemi dërguar ftesë për të biseduar rreth qeverisë së ardhshme, Ai nuk ktheu asnjëherë përgjigje, përgjigja e vetme që e ka kthyer ishte para dy javësh kur në mbrëmje i shkroi mesazh Albin Kurtit dhe i tha se janë të gatshëm për bashkëpunim”, ka sqaruar Konjufca.

“Pas dy tre ditësh në një postim në Facebook filloi përsëri të na sulmonte, prej atij momenti ishte e qartë që të mos ketë bashkëpunim me VV-në”, ka thënë veç të tjerash deputeti i VV-së.