Arbëri

“Edhe Alternativës i janë ofruar ministri”

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se kjo parti ka marrë oferta nga PAN-i që t’u bashkohet në qeverisje.

Ajo ka thënë në Interaktiv të KTV-së, se kanë refuzuar çdo mundësi kalimi në PAN edhe pse u ishte ofruar edhe mundësia për të udhëhequr ministri.

“Nuk kemi pranuar që të jemi pjesë e qeverisjes. Kemi pasur ofertë nga zyrtarët e Aleancës për të marrë votat e Alternativës, dhe iu kemi treguar që nuk ka asnjë hapësirë komunikimi, na kanë ofruar ministri për dy vota, dhe na kanë pyetur çka kërkoni ju, por nuk kemi pranuar”, ka thënë ajo.

Deklarata e Kusari-Lilës vjen një ditë pas arritjes së marrëveshjes mes PAN-it dhe AKR-së, me ç’rast AKR me katër deputetë në Kuvend do të udhëheqë me pesë ministri.

Kusari-Lila po ashtu ka bërë të ditur se kanë pasur ofertë edhe nga Behgjet Pacolli i AKR-së që këto dy parti të ndahen nga koalicioni me LDK-në dhe të formojnë një grup parlamentar, por kjo sipas saj, ishte e panevojshme sepse me çdo kusht do të duhej t’i bashkoheshin ndonjë pale tjetër.