Arbëri

Kusari-Lila: Qeveria Haradinaj zgjat maksimumi një vit, ajo varet direkt nga Vuçiqi

Descriptive Text

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se qeverisja e Ramush Haradinajt, e përbërë nga katër parti shqiptare dhe minoritetet, nuk do të mbijetojë më shumë se një vit.

Sipas Kusari-Lilës, kjo qeveri do të varet direkt nga kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Shantazhimi i Listës serbe tashmë ka filluar, dhe kjo Qeveri ka një varshmëri të drejtpërdrejtë nga Vuçiqi. Jetëgjatësia e kësaj Qeverie është maksimumi një vit. Me këtë kompozicion nuk kam shpresë se do të ketë lëvizje pozitive për Kosovën”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së, lidhur me kalimin e AKR-së në radhët e PAN-it.

Kusari-Lila thotë se nuk është befasuar me bashkimin e këtyre palëve duke vlerësuar se ky bashkim është i rëndë dhe shumë i dëmshëm për Kosovën.

“Nuk jam befasuar nga koalicioni AKR dhe PAN, ka një kohë që informacione të tilla kanë qarkulluar, përkundër mohimit të Pacollit. Është shumë e rëndë për Kosovën, e dimë se kemi një koalicion me diku 23 parti, dhe partitë e mëdha nuk kanë deklaruar se si do ta zgjidhin çështjen e demarkacionin, asociacionin e dialogun me Serbinë. Pacolli ka qenë i bindur se Thaçi nuk e mandaton Kurtin për kryeministër dhe synimi i tij i kryesor ka qenë interesi i tij dhe partisë së tij për pushtet. Nga PAN-i kemi marr informacione se ka pasur bisedime të mjaftueshme me AKR-në”, ka shtuar Kusari-Lila duke përmendur se ndër punët më të vështira të qeverisë së ardhshme do të jetë se si do të deklarohen këto parti për “fryrjen e listave të veteranëve dhe shndërrimin e FSK-së në Ushtri”.