Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Punëtorët e dëbuar nga ASHN-ja bëjnë dhjetëra kallëzime penale për zyrtarët e Agjencisë

Janë bërë 20 ditë që kur Bujar Ejupi dhe Ersen Shileku u nxorën me dhunë nga zyrat e tyre në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror.

Që të dy janë zëvendësdrejtorë në këtë Agjenci.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shkaku që janë dëbuar nga puna, sipas tyre, është një kontratë e parregullt - ajo për rregullimin dhe gjelbërimin e parkut, vlera e të cilës ishte 2.850 euro, raporton KTV.

Zëvendësdrejtori financiar, Bujar Ejupi, thotë se vërejti që kontrata nuk ishte respektuar dhe operatori kishte sjellë më pak material nga sa ishte kërkuar.

Në momentin kur ai kërkoi sqarim, thotë se u kërcënua dhe u dëbua me dhunë nga vetë drejtori Bahri Nuredini.

Por, zëvendësdrejtori i operacioneve në ASHNA, Ersen Shileku, ishte zënë në befasi, kur sigurimi i ASHNA-së kishte hyrë në zyrën e tij dhe ia kishte marrë me dhunë vulat e çelësat e zyrës dhe veturës, ani pse ai ishte emëruar nga Qeveria e Kosovës për një mandat 5-vjeçar.
 

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hanefi Muharremi, shpreson se deri të hënën do të gjejë një zgjidhje për kthimin në punë të dy zëvendësdrejtorëve.

Në anën tjetër, ASHNA-ja nuk ka dashur t’i komentojë akuzat për sulm. Përmes telefonit, zëdhënësi i saj, Driton Ujkani, ka thënë se çështja tashmë ka kaluar në duart e drejtësisë dhe nuk duan të ndikojnë në proces.

Prokuroria po merret me rastin konkret, por të dëbuarit nga puna thonë se edhe në Agjencinë Kundër Korrupsion kanë deponuar me dhjetëra dokumente për keqpërdorimet që janë bërë në Agjencinë që menaxhohet nga shteti.

Shileku dhe Ejupi thonë se pa marrë siguri për jetën e tyre, nuk do të mund të kthehen në punë.

Shileku thekson se ndoshta arsyeja e këtij dëbimi mund të jenë edhe publikimet në media për keqpërdorimet brenda Agjencisë, por ai thotë se nuk është i përfshirë në rrjedhjen e informacioneve.

Sidoqoftë, ekziston një udhëzimin administrativ, i cili rregullon emërimin dhe shkarkimin e zëvendësdrejtorëve.

Aty thuhet se ata emërohen nga Qeveria, derisa shkarkimi i tyre mund të bëhet kur shkelin ligjin dhe bëjnë shkelje të rëndë të detyrave profesionale. Mund të pushohen nëse janë dënuar për një vepër penale me aktgjykim të plotfuqishëm, apo edhe nëse kanë përvetësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mjete monetare-financiare. Ligji, po ashtu, parasheh që zëvendësdrejtorit mund t’i shkëputet kontrata kur nuk janë të aftë t’i kryejnë detyrat për një periudhë më të gjatë se tre muaj rresht.