Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: Dërgimi i PDK-së në opozitë bashkon LDK-në e VV-në

Analisti politik, Ramush Tahiri thotë se edhe përkundër këtyre akuzave të rënda të Isa Mustafës në drejtim të Vetëvendosjes, këto parti i bashkon një qëllim, “dërgimi i PDK-së në opozitë”.

Ai ka shtuar se një qeverisje LDK-VV ka përparësi pasi që, sipas tij, në këtë mënyrë arrihet shumica shqiptare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

"Sa i përket koalicionit ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes e ka një të mirë sepse e arrijnë shumicën shqiptare prej 61 votash, ajo që kërkohet, por edhe shumicën parlamentare plus minoritetet do të ishte një qeveri stabile me 2/3 e votave. Unë mendoj se është e mundshme sepse i bashkon edhe platforma kundër PDK-së dhe dëshira e tyre për ta nxjerrë PDK-në në opozitë, por gjithashtu i bashkon edhe dëshira për një qeverisje më ndryshe sepse mund të arrijnë një marrëveshje për qeverisje dhe t’i kapërcejnë çështjet që konsiderohen të jenë me interes për Kosovën”, është shprehur Tahiri për KP.

Tahiri konsideron se në Kosovë është duke u zhvilluar një luftë politike ndërsa thekson se akuzat që po bëhen kohëve të fundit mund të jenë edhe të vërteta. Sipas tij, subjektet politike duhet të bashkëpunojnë për të ndërtuar Qeverinë në bazë të planit qeverisës, në bazë të afateve dhe prioriteteve.

“Asnjë grup i madh politik, as PDK ose PAN-i, as LDK-ja nuk munden vet ta ndërtojnë Qeverinë. Në politikë nuk ka armiq të përjetshëm, ka interesa dhe unë mendoj që me gjithë akuzat që i ka LDK-ja kundër Vetëvendosjes dhe lideri Isa Mustafa, që mund të qëndrojnë ose jo, por që janë objekt trajtimi edhe për organe të hetuesisë, dhe gjithashtu edhe akuzat që i bënë për kapje të shtetit ose bashkëqeverisje LDK me PDK-në në atë rast, mund të jenë të vërteta, ato i përkasin një periudhe të caktuar por në politikë nuk merremi me të kaluarën por merremi me të ardhmen dhe programi i tashëm qeverisës i zvogëlon dallimet që kishin në të kaluarën. Në këtë bazë nëse ka sinqeritet, nëse ka vullnet politik nga LDK-ja dhe nga VV-ja, unë mendoj se do të arrijnë një platformë të përbashkët qeverisëse dhe do ta kemi zgjidhjen e krizës institucionale e cila po e kaplon tash e disa muaj Kosovën”, është shprehur Tahiri.

LDK është në koalicion me AKR-në e Behgjet Pacollit dhe Alternativën e Mimoza Kusari-Lilës. Por zyrtarë të AKR-së kanë paralajmëruar se mund të dalin nga koalicioni pasi që sipas tyre me këto deklarata LDK vetëm po bën lojë.

Të enjten Isa Mustafa me anë të një postimi të gjatë në Facebook ka thënë fjalë të rënda, për PDK-në, disa ambasadorë të huaj që kanë qenë në Kosovë, njerëz nga partia e tij, LDK, por më së shumti ka akuzuar VV-në. Përveç dosjeve që ia kanë dërguar në Gjykatë, Mustafa ka përmendur të gjitha sulmet ndaj tij ndërsa e quan atentat sulmin me veturën e tij zyrtare.

“Banditët e VV dhe të tjerë ma sulmuan shtëpinë familjare në Prapashticë, në oborrin e së cilës luanin mbesat dhe nipat e mi të pafajshëm. Ma sulmuan me shishe molotovi shtëpinë time në Prishtinë, në të cilën ndodhej e vetme bashkëshortja ime. Më sulmuan me gurë nga pusia në eskortë natën deri sa kthehesha nga Suhareka. Tentuan atentatin me yje metalike të prodhuar enkas për të përmbysur makinën në të cilën udhëtoja për punë. Më gjuajtën me vezë, me gaz lotsjellës dhe sprej në Sallën e Kuvendit, ma gjuajtën makinën gjatë udhëtimit në punë dhe në shtëpi si dhe më gjuajtën në një manifestim në Podujevë”, kishte shkruar Mustafa në Facebook.