Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministria e Jashtme dënon sulmin ndaj Muzeut të Alfabetit të shqipes në Manastir

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen e saj dhe dënon sulmin e ditës së sotme ndaj Muzeut të alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir (Bitola), në këtë ditë të shënuar për gjuhën shqipe dhe të gjithë shqiptarët.

“Kërkojmë nga autoritetet e Maqedonisë zbardhjen sa më shpejt të këtij akti vandal dhe dënimin e autorëve. Sulmet e përsëritura ndaj Muzeut janë dëshmi e kërkesës për mbrojtje më efektive të kësaj trashëgimie të përbashkët nga autoritetet kompetente”, thuhet në një deklaratë për shtyp të MPJ-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

MPJ shpreh besimin se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, frika, mungesa e informacionit dhe retorika e dëmshme e kohëve të fundit. “Dëshirojmë të theksojmë se historia, tradita, gjuha e kultura e popullit shqiptar janë vlerë e shtuar për fqinjët tanë në Maqedoni dhe se ruajtja e tyre tregon vlerat më të larta demokratike e njerëzore”, vijon njoftimi për shtyp.

Shqipëria dhe shqiptarët, thekson MPJ, kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë. “Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë”.

Ministria e Jashtme i bën thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë dhe të ndalojnë retorikën kundër shqiptarëve, e cila vetëm sa shpërqendron vëmendjen nga problemet reale të vendit, dëmton marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik.

“I bëjmë thirrje shqiptarëve në Maqedoni që të mos bien pre e provokimeve por të tregojnë qytetari e maturi dhe të ruajnë besimin se kriza në vend do të zgjidhet në të mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në përfundim të njoftimit për shtyp.