Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vetëvendosje s’i komenton deklaratat e Mustafës, por Pal Lekaj po

Isa Mustafa ka vazhduar shpërthimin e tij në facebook, me të njëjtin ton sikurse të mërkurën.

Kryeministri në detyrë që është lider i LDK-së, thotë se votëbesimi ndaj qeverisë u bë për shkak që asnjë nga partitë nuk arriti t’i përballonte sukseset e qeverisjes së tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Do të kisha dëshiruar që dje të shkruaj se si , PDK, VV, Lista Serbe, AAK, Nisma, përfaqësuesit e turqve, boshnjakëve, romëve, ashkalinjve, egjiptasve në Kuvend dhe qytetarët vlerësuan një punë me përkushtim në rritjen ekonomike stabile prej 4%, për dy vitet e fundit dhe punësimit të mbi 40 mijë njerëzve, se iu gëzuan rritjes së buxhetit të Kosovës, për herë të parë në mbi 2 miliardë euro, stabilitetit buxhetor dhe financiar, rritjes së pensioneve; pensioneve të veteranëve të UÇK-së, Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, Kodit shtetëror telefonik të Kosovës, integrimit të komunave të veriut dhe zhbërjes së Mbrojtjes Civile në Veri, përmbushjes së 93 nga 94 kriteret për liberalizimin e vizave; vlerësuan se nuk e dëmtuam paranë publike gjatë kësaj periudhe dhe ndërtuam standarde të reja qeverisëse”.

Por, sipas tij, kjo nuk u bë sepse ata që rrëzuan qeverinë, i dhanë të drejtë dhunës.

“Ata që e rrëzuan Qeverinë, i dhanë të drejtë dhunës. Legalizuan gurët dhe flakën e hedhur mbi policët tanë. Promovuan aktorët e flakës së vënë, ndërtesës së Qeverisë dhe të Kuvendit, të sulmeve me molotov dhe bomba në shtëpi private, të komandantëve të gazit lotsjellës dhe dhunës në Sallën ku aprovohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Të predhave të drejtuara në Kuvendin e Kosovës.”

Mustafa, ndër të tjera ka shkruar se iu hap rruga atyre që sot tentojnë ta formojnë qeverinë me pazare të llojeve të ndryshme përmes sekserëve, sepse ndryshe, sipas tij, e kanë vështirë ta formojnë, pasi krye-ideatori i rrëzimit të qeverisë tregoi se nuk di të mendojë politikisht.

“E vërteta nuk bën të harrohet, sepse vetëm e vërteta bëhet faktor korrigjues i sjelljeve. Djallit engjëll nuk mund t’i themi.

Ndërkohë, lëvizja Vetëvendosje nuk ka reaguar fare as pas shkrimit të së mërkurës e as pas këtij të së enjtes të Isa Mustafës.

Të kontaktuar nga televizioni, zyrtarë të lëvizjes kanë thënë nuk duan t’i komentojnë këto deklarata.

Ndërkohë, kanë treguar se asnjë takim nuk është zhvilluar ndërmjet LDK-së e Vetëvendosjes.

Por, Pal Lekaj i AAK-së i quan qesharake deklaratat e Mustafës derisa thotë se sikur të kishte punuar siç deklarohet, ai sot do të ishte ende kryeministër e jo në detyrë.

Një ditë më herët lideri i LDK-së i quajti banditë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, akuzoi policinë se ishte e lidhur me SHIK-un si dhe u mor me ambasadorët amerikanë, Dell e Jackobson, se pa të drejtë u kthyen kundër tij derisa kohë ka gjetur të ishte kritik edhe ndaj mediave.