Arbëri

BE tregon se ku pret që të jetë fokusi i qeverisë Rama 2

48 orë para se kryeministri Edi Rama të shpallë kabinetin me të cilin do të qeverisë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme, Brukseli deklaron se qeveria e re duhet të fokusohet tek zbatimi i reformës në drejtësi e në mënyrë specifike tek vetingu.

E kontaktuar nga Vizion Plus, zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Kocijançiq, thekson se BE pret nga qeveria Rama 2, përveç zbatimit të reformës në drejtësi edhe luftën kundër drogës si dhe adresimin e çështjes së azilkërkuesve.

“Tani ne presim një qeveri të angazhuar fort për të çuar vendin përpara në rrugën e integrimit përmes përpjekjeve të qëndrueshme për reforma. Qeveria e re, veçanërisht, duhet të përqendrohet tek zbatimi i reformës në drejtësi dhe procesi i vetingut, i cili është thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria e re duhet gjithashtu të fokusohet në mënyrë më efektive në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimit dhe përtej kuadrit të 5 prioriteteve kyçe, të trajtojë edhe çështjen e aplikimeve dukshëm të pabazuara për azil nga qytetarët shqiptarë në vendet anëtare të BE-së dhe në vendet që janë pjesë e Shengenit”, deklaroi Kocijançiq.

Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn mbërrin mbrëmjen e të premtes në Tiranë, për t’u bërë pjesë e takimit të së shtunës mes kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, një takim që për Brukselin do të shërbejë për të diskutuar hapat e mëtejshëm pas Samitit të Triestes.

“Takimi i liderëve në Durrës do të bashkojë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar hapat e mëtejshëm pas takimit të suksesshëm të Samitit të Triestes, në korrik. Veçanërisht, zbatimin e planit të veprimit për të thelluar integrimin rajonal ekonomik, për të cilin u ra dakord në Samitin e Triestes. Diskutimi do të fokusohet në hapat e menjëhershëm që duhen ndërmarrë para fundit të këtij viti, për t’u siguruar që plani i veprimit do të përkthehet në rezultate konkrete dhe në mundësi të reja për rajonin”, thotë Kocijançiq.

Procesi i vetingut dhe zbatimi i reformës në drejtësi, pritet të nisë në muajin shtator e pas kësaj, Shqipëria synon hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, e cila duket se do të jetë një prej sfidave kryesore të qeverisë Rama 2.