Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Presheva e zgjedhjeve të jashtëzakonshme!

Që nga zgjedhjet e 24 prillit, të vitit të shkuar, qeverisja komunale e Preshevës nuk e ka gjetur dot rehatinë shkruan në “Koha jonë” Sevdail Hyseni.

Ajo vazhdon të përballet me sfida të ndryshme, të cilat parlamentit lokal, i kanë shkaktuar jo rrallë ngërçe politike, duke e sjellë atë, në një krizë, që nuk çon tjetër veç në zgjedhje të parakohshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nuk kanë kaluar më shumë se një vit e disa muaj, kur pushteti lokal u godit me disa lëkundje politike, të cilat prishën koalicionin qeverisës, në favor të një formacion tjetër, por pa ndonjë ndryshim ne ecurinë e punës së legjislativit.

Turbulencat politike, shantazhet, inatet e dukurit e tjera negative e kanë shoqëruar Kuvendin Komunal të Preshevës, që nga orët e para të konstituimit, pa ndonjë përparim në tejkalimin e këtyre barrierave shumë të dëmshme për qytetarët e kësaj komune, nga më të prapambeturat në rajon.

Të lodhur dhe të rraskapitur nga mosfunksionimi i organit më të lartë të pushtetit vendor, shumica e subjekteve politike në Preshevës, si duket janë pajtuar të shkojnë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Zgjedhjet e parakohshme, nuk janë të jashtëzakonshme për preshevarët, ngase ato janë mësuar me procese të tilla edhe pse shpesh u kanë kushtuar me mungesë të investimeve, projekteve dhe donacioneve qeveritare e ndërkombëtare.

Niveli i përgjegjësive

Kuvendi komunal, duhet të jetë stabil, efikas dhe përgjegjës.

Foltorja e kuvendit, nuk duhet të keqpërdoret për qëllime të caktuara politike, grupore e klanore. Mjerisht, foltorja e Kuvendit Komunal në Preshevë, jo vetëm që është keqpërdorur, por edhe është abuzuar deri në ekstremitet.

Kuvendarët janë të zgjedhurit e popullit dhe ata duhet të jenë në nivelin e përgjegjësisë, për të mbrojtur, avancuar dhe promovuar të drejtat e qytetarëve. E si të mbrohen interesat e qytetarëve nga kuvendarët e një Kuvendi, kur ata nuk mblidhen me muaj të tërë, por edhe sikur të jenë bashkë në seancë, ata grinden mes vete, duke bllokuar punimet e kuvendit.

Zvarritjet e seancave kuvendore deri në pafundësi, natyrisht se prodhojnë krizë, mosdurim, përçarje, ngërç politik dhe kolaps ekonomik. Të gjitha këto anomali në qeverisjen lokale, ngrisin shqetësimin e qytetarëve për pamundësinë e realizimit të projekteve jetike për Preshevën.

Masat e përkohshme

Po qe se nuk gjendet ndonjë zgjidhje urgjente, për tejkalimin e mosmarrëveshjeve politike brenda koalicionit aktual qeverisës, nuk është çudi, që nesër të shpërbëhen organet legjislative dhe ekzekutive të pushtetit në Preshevë.

Shpartallimi i parlamentit lokal, sjell masat e përkohshme, që dikur quheshin të dhunshme, të cilat do të zgjasin deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale. Thënë të drejtën, masat e dhunshme nuk janë të mira as në “komshi” e lëre më në shtëpi! Ato asnjëherë nuk kanë sjellë zgjidhje të qëndrueshme, por përkundrazi I kanë ngatërruar fijet e lëmshit politik.

Në zhargoni e popullit për këto masa të përkohshme, apo më mirë të dhunshme, thuhej dikur : “Hajde dreq e na ndreq!”

E mira është të gjendet ndonjë zgjidhje, ngase nga zgjedhjet e parakohshme, nuk pritet se do t’i jepet fund mospajtimeve politike në Preshevën e taksirateve. Po sikur të ndodhin zgjedhjet e parakohshme, përsëri do të ketë koalicione qeverisëse, sërish do të ketë pozitë dhe opozitarë dhe ngjashëm do t’na përsëriten skenat jo të favorshme, që jem i mësuar t’i shohim në Preshevë, që nga viti 2002 e këndej.

Preshevën, nga kjo gjendje ku është futur, nuk e shpëtojnë masat e përkohshme e as zgjedhjet e jashtëzakonshme, por lirimi nga mentaliteti i partiakëve provincialë për të qenë të parë, të cilët, mjerisht, vuajnë nga bajraktarizmi, liderizmi, nepotizmi, familjarizmi e “izma” të tjerë, të cilët i kanë përcjellë, gjatë gjithë mandateve të pushteteve lokale. Dhe në vend, që këta liderë të shumtë partiak ta gjejnë shpëtimin te uniteti, koncensuesi, ata e kërkojnë ngushëllimin te zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Prapë fushatë…

Presheva e ndarë dhe e përçarë në shumë parti e shoqata joqeveritare, si është duke shkuar për çdo vjet do të ketë zgjedhje lokale e jo sipas zakonit një herë në çdo katër vjet.

Skenës institucionale preshevarçe i është bërë stil të jetës politike zgjedhjet e reja. Ndoshta pse kjo komunë me mbi 90 për qind shqiptarë, në Luginë të Preshevës, të administruar nga Serbia, më herët se Komuna e Bujanocit, ka pasur pushtet dhe asnjë nga partitë e saja politike nuk e durojnë opozitarizmin, me një fjalë, ia kanë shijuar lezetin të qenit pushtetar.

Askush nuk e do opozitën, qoftë edhe në ëndërr. Pushteti shumëkujt i ka sjell privilegje, famë e karrierë, por jo edhe qytetarëve të saj, të cilët nëpër çdo palë zgjedhje votuan për ndryshime, e pothuajse, asnjëherë nuk i panë ato.

Në realitet ata i panë gjatë fushatës elektorale, duke brohoritur si gjithherë: “Për gjuhë dhe flamur!’, “Bashkim me Kosovën!”, “Shqipëri o nëna jonë!”, “Stop dhunës dhe diskriminimit!”, “Votoni më të mirët!, “Vota është çelës i ndryshimit!”, “Rroftë Referendumi!” e slogane të tjera të kësaj natyre.

Kështu e ka Presheva jonë, me probleme si gjithmonë!