Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-së i ikën edhe njëri prej themeluesve

Një ditë pasi Shukri Buja kaloi në partinë e Fatmir Limajt edhe vëllai i tij, Ramë Buja, ka braktisur përfundimisht kryesinë e PDK-së, pjesë e së cilës ishte që nga themelimi i saj.

I pakënaqur me zhvillimet brenda subjektit, që para më shumë se 1 viti kalojë nën udhëheqjen e Kadri Veselit, ish-ministri i Arsimit ia ka dorëzuar sot Kryesisë së PDK-së dorëheqje të parevokueshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Vetëm t’ju bëjë me dije se këtu pushon angazhimi im në kreun e kësaj partie, ku isha njëri nga themeluesit e saj dhe në të cilën investova mundin dhe përpjekjet e vazhdueshme, pothuaj dydekadëshe, dhe ku tani nuk më mbeti më vend as hapësirë për veprim e kontribut. Degradimi që po ndodh (qofsha i gabuar) do ta trazojë e çorientojë akoma më shumë këtë subjekt politik, nëse nuk i vihet digë penguese së keqes dhe degjenerimit politik në vazhdim, në të cilën gjë unë kam humbur përfundimisht”, ka thënë Buja.

Buja nuk ka pranuar të intervistohet, por përmes telefonit i ka thënë KTV-së se dorëheqja e tij ishte menduar që moti për shkak të pakënaqësive të shumta që, sipas tij, janë akumuluar me vite dhe për faktin që brenda kryesisë së PDK-së ka njerëz “matrapazë”.

Po ashtu, ai ka thënë se kjo dorëheqje lidhet edhe me aktakuzën që ishte ngritur ndaj tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sa ishte ministër i Arsimit, akuzë e cila ishte pushuar, por edhe me largimin e vëllait Shukri Buja, i cili aderoi në Nisma për Kosovën.

Mosmarrëveshjet e Bujës me zyrtarët e lartë të PDK-së ishin shpërfaqur edhe në verën e kaluar, kur ishte publikuar dosja e shefave.

Agjencia e Kosovës për Akreditim ishte bërë mollë sherri me bashkëpartiakun e tij, protagonistin e përgjimeve Adem Grabovci, me të cilin kishin shkëmbyer edhe fyerje.

Buja, i cili ka qenë profesor i Gjuhës Shqipe, ka deklaruar se ka diplomuar në Ekonomi, ka magjistruar në Juridik, ndërsa Doktoraturën e ka bërë në Shkencat Politike.

Ai ka pasur funksione të larta në PDK. Në legjislaturën e dytë ishte deputet i PDK-së, ndërsa në tretën shef i grupit Parlamentar të kësaj partie.

Që nga viti 2010 e deri në rrëzimin e Qeverisë më 2014, ai udhëhoqi Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa gjatë vitit 1999-2000 në Qeverinë e Përkohshme ishte ministër i Pushtetit Lokal.

Buja ishte anëtar i Delegacionit të Kosovës në Rambuje, ndërsa në UÇK ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe kryeshef i Drejtorisë për Marrëdhënie Publike dhe Administrim Civil në UÇK.

PDK-ja në mbledhjen e Kryesisë ka diskutuar për emrat e rinj të kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, por nuk e ka përmendur fare dorëheqjen e Bujës.

Ajo ka thënë se do të garojnë me një platformë, e cila do t’ia mundësojë PDK-së për të fituar edhe në komunat ku ishin opozitë.