Një grup prej 15 qytetarësh, përmes një reagimi dërguar mediave, kanë shprehur indinjatën e tyre me, siç thonë ata, presionin që po u bëhet deputetëve për ta ndryshuar qëndrimin politik lidhur me formimin e institucioneve.
Ky grup mendon se kjo praktikë është shkelje e standardeve të demokracisë parlamentare dhe “mund të shndërrohet në një premisë të dëmshme dhe të rrezikshme në tërë procesin e ndërtimit të shoqërisë së lirë dhe demokratike”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Presionet e çdo lloji cenojnë vullnetin e qytetarëve të dhënë në ditën e zgjedhjeve. Presionet dhe cenimi me metodën e shantazhimit ka elemente të veprës penale; të cenimit të së drejtës së votimit dhe presionit në ushtrimin e detyrës zyrtare”, thuhet në këtë reagim.
Ky grup u ka bërë thirrje deputetëve që mund të jenë subjekte presioni, t’i denoncojnë publikisht edhe në organin e akuzës sepse, siç thonë ata, “shantazhet e zhvleftësojnë rendin demokratik të Republikës”.
“Vlerësojmë që liria e deputetit për të votuar nuk guxon të cenohet e të shantazhohet në asnjë rrethanë. Prokurorisë gjithashtu i bëjmë thirrje të qëndrojë syhapur ndaj dukurive të cilat rrezikojnë seriozisht tërë procesin kushtetues të ndërtimit të shtetit dhe përfaqësimit të vullnetit të lirë të qytetarëve. Ne jemi absolutisht kundër çdo presioni ndaj të zgjedhurve të popullit. Ne përkrahim dhe mbrojmë integritetin e deputetëve që në Kuvend të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë duke respektuar votën e çdo qytetari në zgjedhjet e 11 qershorit”, thuhet në këtë reagim.
Ndërkaq, Samir Potera, njëri nga nismëtarët e këtij reagimi, ka thënë se grupi ka pritur nga organizatat e shoqërisë civile, “sidomos nga ajo pjesa që merret me monitorimin e punës së Kuvendit, që të reagojë lidhur me përpjekjet që po bëhen për kontrabandim deputetësh, por ata kanë zgjedhur të heshtin”.
“Ju bëjmë thirrje të gjitha palëve që të lejojnë demokracia të ecën rrjedhës së vet. Nëse do të kemi kështu shitblerje deputetësh, atëherë përse ne qytetarët e këtij vendi do të duhej me dalë n’votime?!”, ka pyetur Potera.
Reagimi është nënshkruar nga 16 qytetarë, e ata janë:
Visare Gorani
Florina Duli
Imer Mushkolaj
Luljeta Aliu
Yll Rugova
Seb Bytyçi
Krenar Shala
Besnik Pula
Eliza Hoxha
Ilir Bajri
Asdren Rrahmani
Jetlir Buja
Fahri Musliu
Skender Boshnjaku
Ilaz Bylykbashi
Samir Potera