Arbëri

Ndërtuesit në Kosovës nuk marrin për bazë rrezikun nga tërmetet

Ndërtuesit në Kosovë nuk zgjedhin vendin se ku të ndërtojnë. Madje nuk marrin parasysh as rrezikun me të cilin mund të përballen në rast të ndonjë tërmeti, e aq më pak të marrin ndonjë raport studimi nga Rrjeti Sizmik i Kosovës.

Ndërtimtarët rrinë të qetë karshi kësaj situate, meqë edhe Ligji për Ndërtimet është në anën e tyre. Kosova nuk ka një Ligj i cili do të specifikonte aktivitetet ndërtimore në mënyrë të veçantë si mikrozonime sizmike.

E për këtë, shefi në Divizionin për komunikim me publikun në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fadil Maxhuni në një përgjigje për Ndërtimi.info ka thënë se vetëm Kodi i ndërtimit dhe aprovimi i eurocodeve bashkë me ankesat nacionale do të specifikonte qartë parametrat teknik të cilat do të përdoren gjatë fazës së ndërtimit.

“Ligji për ndërtim nuk specifikon aktivitete ndërtimore në mënyrë të veçantë (si mikrozonime sizmike), por Kodi Unik i Ndërtimit qe është në proces dhe aprovimi i eurocodeve bashkërisht me anekset nacionale ku do të specifikon qartë parametrat teknik te cilat do te përdoren gjate gjithë fazës se ndërtimit”, ka treguar Maxhuni për Ndërtimi.info.

Ligji nuk po i obligon ndërtimtarët që të marrin parasysh një raport sizmik, por raportet sizmike po i anashkalojnë edhe komunat në Kosovë.

Se a ka bashkëpunim dhe a i është kërkuar ndonjëherë Rrjetit Sizmik raport për zonat e ndryshme, Maxhuni nuk ka dhënë asgjë konkrete.

Ai ka thënë se MMPH në koordinim me ministritë tjera, komunat, komunitetin e biznesit do të nxjerrin Kodin Unit të Ndërtimit. Por, megjithatë Maxhuni i ka thënë Ndërtimit.info se MMPH është duke punuar në drejtimin e avancimit dhe sigurisë në ndërtim.

“Ne si MMPH jemi duke punuar çdo here ne këtë drejtim te avancimit dhe sigurisë ne ndërtim dhe te thjeshtëzimit te procedurave te ndërtimit”, shtoi Maxhuni.

Raportet që bëhen për zonat të cilat rrezikohen nga goditjet e tërmetit, Rrjeti Sizmik po i bënë vetëm për arkivat e saj. Kjo pasi që komunat në Kosovë nuk po kërkojnë studime të tilla, këtë e ka bërë të ditur për Ndërtimi.info, udhëheqësi i këtij rrjeti, Shemsi Mustafa.

“Koordinimi të cilin ju thoni, nuk e kam gjetur asnjëherë midis palëve të nivelit lokal dhe qendror. Arsyeja pse, nuk e di. Duhet të pyeten zyrtarët e nivelit apo komunat. Disa prej informacioneve që kam, si arsyeje të mos koordinimi të tyre me neve janë sepse po të koordinohen me neve dhe të kenë të dhënat tona dhe po të punohet sipas hartës së rrezikut sizmik atëherë duhet edhe studime shtesë dhe studimet shtesë që janë mikrosizmiket. Këto studime i kushtojnë investitorit dhe nëse është zona e rrezikut atëherë duhet edhe trefishi i investimit në atë ndërtesë për të përballuar ashtu si e jep harta e rrezikut sizmik dhe mikrosizmik që është investim shtesë në atë zonë”, është shprehur Mustafa.