Në Kosovë, 5 mijë persona janë anëtarësuar në shoqatën e të verbërve, ndonëse zyrtarë të kësaj shoqate thonë se ky numër nuk pasqyron gjendjen reale, sepse shumë njerëz ende hezitojnë të paraqiten për shkaqe të ndryshme, përfshirë edhe frikën nga stigmatizimi.
Kryetari i shoqatës së të verbërve, Bujar Kadriu, tregon se sa vështirësi kanë këta njerëz, dhe se nuk kanë barazi në vend.
“Mbi 50 persona të verbër kanë kryer fakultete të ndryshme, por ende janë të papunë”, ka thënë ai.
Për këta njerëz, madje edhe gjërat thelbësore janë shndërruar në sfidë.
Ata shprehin dëshirë për të punuar, por siç duket kjo mundësi nuk iu është ofruar.
Në Kosovë janë 2200 persona që përfitojnë nga ligji për të verbër, ndërsa 5 mijë janë të anëtarësuar në shoqatën e të verbërve.
Por, sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, ky numër nuk paraqet shifrën reale, pasi shumë njerëz hezitojnë të paraqiten nga frika dhe shkaqe tjera.