Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka akuzuar Kosovën se për një dekadë ka punuar në shmangien e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën politikë edhe në raundin e ardhshëm të dialogut në Bruksel, që pritet të ndodhë të martën.
“Prishtina do të përpiqet të minimizojë rëndësinë e Asociacionit të komunave serbe, nga emri, statuti dhe ekipi drejtues e deri te kompetencat e tij”, ka thënë ai të hënën, raportoi “Tanjug”.
Ai foli edhe për pjesëmarrjen e tij javën e kaluar në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku është diskutuar për Asociacionin.
"Ne kemi dëgjuar të njëjtën gjë dhjetë vjet më parë. Të gjithë ishin të kënaqur me atë akt historik. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe një Bashkësi e komunave serbe ende nuk ka ndodhur”, tha Daçiqi.
Kryediplomati serb e ka akuzuar Kurtin për prodhim të krizave në baza ditore, sipas tij, me qëllim që të sjellë një përfundim se kushtet për formimin e Asociacionit ende nuk janë në vend.
"Pritja e tyre (e Prishtinës) është të dëbojnë serbët dhe se nuk do të ketë nevojë për një Asociacion. Serbia ka një qëndrim të vendosur. Ne do të qëndrojmë me njerëzit tanë në Kosovë. Një gjë është e sigurt para takimit të nesërm. Serbia do të jetë konstruktive dhe presidenti Vuçiq është i gatshëm për atë takim”, u shpreh ai.