Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në televizionin publik ka folur edhe për deklarimin e Behgjet Pacolli rreth afatit dhjetë ditësh ndaj LDK-së dhe VV-së.
“Do të ishte gabim përcaktimi i z.Pacolli me PAN-in. Mungesa e bashkëpunimit ndërmjet LAA dhe VV-së, e shtyn Pacollin për afrim me PAN-in”, tha ai.
Për demarkacionin, Konjufca, ka thënë se do të shikohet mundësitë për të zgjidhur këtë problem, duke mos e anashkaluar edhe Arbitrazhin.
Kurse për qeverisjen gjithëpërfshirëse, Konjufca, bëri me dije se si VV, janë kundër kësaj.
Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, tha se janë të gatshëm të votojnë kandidatin e PAN-it, për kryetar të Kuvendit të Kosovës, por jo kreun e PDK-së, Kadri Veselin.
Konjufca, ka paralajmëruar edhe mundësinë që nëse do të jenë në pushtet do të ndryshojnë Kushtetutën e Kosovës.
“Aktgjykimi do të ndryshohet dhe njëra ndër iniciativat e para të një pushteti tjetër, do të ishte kjo. Ky aktgjykim e ka cenuar rëndë demokracinë. Ky aktgjykim i ka monopolizuar demokracinë. Ky është një paradoks dhe mendoj se nuk ekziston në ndonjë vend”, tha ai.
Konjufca tha se kësaj radhe kemi një ndryshim.
“Ai që po e bojkoton seancën, është koalicioni PAN edhe pse Gjykata Kushtetuese përmes një aktgjykimi ia ka dhënë të drejtën të drejtën që të propozojë kandidatin për kryetar të kuvendit të Republikës së Kosovës, ata nuk po e bëjnë një gjë të tillë. Ky aktgjykim është në fuqi, por do të ndryshohet kur të ndryshohet kushtetuta. Mua më duket e pashembullt në historinë e parlamentarizmit, së paku në Evropë. Ai që i takon nuk shfaqet në Kuvend dhe për këtë arnese ky proces po mbahet peng, për shkak se PAN e ka lidhur vetveten për rreth një emri që është Kadri Veseli dhe ata nuk i kanë numrat për këtë. Për këtë atyre i nevojitet një kompromis për të ndërruar këtë emër”, tha ai.
Sipas tij ata janë të gatshëm për të marr vendim. “Nuk do të pranojmë Kadri Veselin, pasi që konsiderojmë se ai nuk është i denjë. Ky institucion i lart duhet të udhëhiqen nga njeri tjetër”, tha Konjufca.