Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se reformat e Qeverisë Kurti po bëhen si hakmarrje ndaj njerëzve, e jo si veprime të vullnetshme për të ndryshuar rrethanat në vend. Ai ka thënë në Interaktiv të KTV-së të enjten se kryeministri Albin Kurti po funksionon sikur të ishte në një realitet tjetër.
“Mbrojtja e Kushtetutës është akt patriotik. Kurti jeton në një realitet tjetër dhe ka botëkuptime të gabuara për atë që quajmë shtet. Ata duhet ta përdorin këtë 50-përqindësh për të shtyrë plane dhe projekte... Duhet të ulemi dhe të bëjmë punë serioze dhe të diskutojmë në mënyrë profesionale dhe të mos humbim momente. Asnjë nga reformat s’është shtyrë përpara. Përgatitja e një ligji nuk do një vit kohë”, ka thënë Gruda.
Sipas zyrtarit të PDK-së, Qeveria po bën gabime të qëllimshme në emërimin e zyrtarëve publikë, e sipas tij, shkeljet janë të hapura. Ai ka përmendur rastin e emërimit të Hekuran Nikçit si kryeinspektor në Inspektoratin e Punës, duke thënë se edhe gjykata e ka vendosur që emërimi i tij është i jashtëligjshëm.
“Kemi shpalosur si është emëruar ky në mënyrë të paligjshme me dy procese gjyqësore. Ligji për Zyrtarë Publikë e kërkon që të ketë konkurs publik...Personi rri në krye të inspektoratit duke shkelur ligjin dhe dy vendime të gjykatave të Kosovës. Çdo ditë që kalon, personat që e kanë emëruar bëjnë vepër penale. Atë person s’e njoh, por edhe ai mban përgjegjësi penale”, ka thënë ai.
Gruda ka shtuar se Qeveria ka humbur edhe sensin e diskutimit dhe siç u shpreh ai, çdo dërgim i ligjeve në Gjykatën Kushtetuese po konsiderohet nga Kurti si pengim për reforma.
“Ne jemi parti opozitare, çka duhet të bëjë një parti opozitare kur merr një ligj jokushtetues ose të jashtëligjshëm. Mbrojtja e ligjit dhe e Kushtetutës s’është çështje që duhet trajtuar”, ka shtuar Gruda.
Sipas zyrtarit të partisë opozitare, presidentja Vjosa Osmani po e shkel Kushtetutën me mosdekretimin e kryeprokurorit. Ai ka thënë se dekretimi nuk duhet të pengohet, edhe nëse kandidati ka procedura private në gjykatë.
“Presidentja po e shkel Kushtetutën pasi dekretimi i kryeprokurorit është materializim i një kompetencave kushtetuese të presidentes. Kjo s’pengohet nga procedurat private që mund të kenë persona për të drejtat e tyre individuale në gjykatat e rregullta. Nisur nga kjo hipotezë i bie se duhet të presim me vite për t’u përfunduar rasti. Shpresoj që ta bëjë më shpejt”, ka thënë ai.