Kushti i Pacollit për votë ndaj Haradinajt – diplomacia e Kosovës Foto: Koha / ilustrim

Kushti i Pacollit për votë ndaj Haradinajt – diplomacia e Kosovës

09 gusht 2017 23:02

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, pritet të përfundojë në qeverisje të përbashkët me PDK-në sërish, edhe përkundër premtimeve publike se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Biznesmeni politikan e ka pritur në një takim 2 orësh në rezidencën e tij në Hajvali kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Ky i fundit i ka kërkuar që të bëhet pjesë e qeverisë, të cilën ai do ta udhëheqë, raporton KTV.

Në një intervistë për televizionin publik, Pacolli ka thënë nëse vjen puna që të mos ketë tjetër rrugëdalje, ai do të votojë për Haradinajn kryeministër. Aty, Pacolli ka bërë be që me Haradinajn nuk ka folur për ndarjen e posteve në qeveri.

Por, KTV-ja merr vesh se synimi i Pacollit mbetet obsesioni i tij i hershëm – drejtimi me diplomacinë e Kosovës.

Interesimi për investime në Trepçë dhe fati i “Grandit” gjithashtu pritet të jenë pjesë e tregtisë për votat e AKR-së.

Pacolli pritet të japë votat e partisë së tij për Veselin e Haradinajn, pasi që beson se edhe ashtu numrat do të bëhen teksa Labinot Tahiri pritet të bindet nga PAN-i pas një serie lutjesh që i kanë bërë.

Kreu i AKR-së gjithashtu planifikon të krijojë Grupin Parlamentar edhe pse i ka vetëm 4 deputetë, e duhen 6 për këtë.

Ai u ka dhënë ultimatum 10 ditësh LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të dëshmojnë, sipas tij, që mund ta bëjnë qeverinë bashkë, përndryshe ai do të largohet nga koalicioni me LDK-në.

Para se të mos e kalonte pragun me AKR-në në vitin 2014, Pacolli shërbeu si zv/kryeministër për Njohje në qeverinë e Hashim Thaçit. Në atë kohë, solli disa njohje që vazhdojnë të mbesin të kontestueshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

pejani14/08/2017 10:00

o behxhet,mos u bo kvazipatriot,po trego ftyren e vertet te intersit me qen minister i jashtem se gajlen e kosoves nuk e ki aspak. mos shit moral te rrejshem se i ke bo do vjet.e kosova te njeh. veq po te garantoj qe qysh ke kalu deri tash me pdk,njejt ki me pas,ke me u fundos politikisht.tradhtart nuk i don populli.

Shto koment

Të ngjashme