Arbëri

Kallaballëku i shtrenjtë politik, kryetemë në numrin special të ‘Kohës Ditore’

Qeveria e Kosovës është ndër më të mëdhatë në rajon e në Evropë.

Numri i madh i ministrive, këshilltarët e shtrenjtë të liderëve të shtetit, megaqeveria Mustafa, janë pjesë e temës së javës këtë të diel në ‘Koha Ditore’, ku kërkohet po ashtu edhe zvogëlimi i ekzekutivit.

Edhe një plaçkitje e parasë publike, është shkrimi i kryeredaktorit të ‘Kohës Ditore’, Agron Bajrami, që është vazhdimësi e temës së javës.

E, për këtë çështje po ashtu është edhe intervista me gazetarin dhe politologun, Ismet Hajdari, sipas të cilit këshillë-dhënia është kthyer në një skemë për punësim të miqve dhe bashkë-partiakëve.

Në ‘Reportazh’, mund të lexoni për kafenenë ku punojnë disa të rinj me sindromën Down.

Arkeologu Elvis Shala, rrëfen këtë javë te ‘7 Shkronjat’, kurse Te Bota, mund të lexoni për kalorëset e vogla me ëndrra të mëdha dhe për hotelin historik të Halepit që ngjall nostalgjinë për Sirinë e humbur.

Ndërkaq, në ‘Fejton’ këtë javë mund të lexoni për zbardhjen e planit të spastrimit etnik të shqiptarëve dhe shkatërrimit të UÇK-së.

DukeFesti, si festivali me ndikim shumëdimensional në Prizren, është shkrimi që lexuesit e së dielës mund ta lexojnë në rubrikën ‘Kosovarçe’.

Faqet e kulturës, sjellin artistin në lojë me vandalizmin dhe ribërjen e së kaluarës dhe shkrimtari i pyetjeve të vështira politike për botën.

Shtëpia e dalluar njëshekullore, është bujtina unike e Gjakovës, që këtë javë zë faqet e rubrikës ‘Monument’.

Adhuruesit e sportit mund të lexojnë për vëllanë e vogël të Armend Dallkut, Ardinin, që po e ndjek rrugën e të vëllait në Ukrainë, si dhe për boksieren Fjolla Qunaj.

Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në 82 faqet e numrit të së dielës në “Koha Ditore”.