Arbëri

Molliqaj thotë se Veseli s’e ka vendin në institucione, e lë enigmë se ku mendon ai se e ka

Ish-sekretari organizativ i Vetëvnedosjes, tash deputet, Dardan Molliqaj, ka thënë se Kadri Veseli nuk e ka vendin në institucione shtetërore.

Molliqaj, që njihet ndër të tjera për gjuhën e tij të ashpër sidomos ndaj zyrtarëve të PDK-së, në të kaluarën shpesh kishte thënë se ata i pret burgu. Në një status të orëve të vona të së premtes, Molliqaj nuk ka qenë gjithaq i qartë, por e ka lënë të kuptohet se për ku e ka fjalën.

Ka thënë se Veseli duhet ta kuptojë se “nuk ka vend për të në institucionet e shtetit tonë”.

“Vetëm një vend e kemi të rezervuar për të. A thua ku?!”, ka shkruar Molliqaj.

“Thuhej se në kohën kur ishte nën hije, si udhëheqës i organizatës kriminale SHIK, Kadri Veseli ishte njeriu më i fuqishëm në PDK. Si kryetar i PDK-së, filloi fushatë milionëshe duke e promovuar vetën si kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Me të parë rritjen e Lëvizjes tonë, u frikësua dhe ia dorëzoi kandidaturën Haradinajt”, ka shkruar Molliqaj.

“U bë gati për t'u zgjedhur kryetar i Kuvendit, por rritja jonë po ia pamundëson edhe këtë. Nga frika se do të mbetet në opozitë, u dorëzua prapë. Tash deklaroi se do të tërhiqet edhe nga kandidatura për kryetar Kuvendi me kushtin që t'ia bëjmë një vend në qeveri. Por ai duhet ta kuptojë një gjë: nuk ka vend për të në institucionet e shtetit tonë. Vetëm një vend e kemi të rezervuar për të. A thua ku?!”, ka shtuar ai.

Përgjigja për këtë i ka ardhur nga Arbana Xharra, e cila u bë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, nën drejtimin e Kadri Veselit.

“Përtej deklaratave brenda garës politike, nëse e lexoni mes rreshtave nga gjuha e tij, te Dardan Molliqaj shohim nuanca te qarta te skizofrenisë akute. Edhe pse këtë diagnoze mundet më së miri me ia caktu bashkëpartiaku i tij, neuropsikiatri Jusuf Ulaj. Molliqaj, praktikisht, është veç një bandit i vocërr, që pasi ka mbërri me e fut nën kontroll Vetëvendosjen dhe mos me e bo hesap as Albin Kurtin, tash kujton se krejt shtetin e Kosovës dhe ligjin e ka në dorë”, ka shkruar Xharra.

“Përbesë, më shumë je kah na e qet gazin, se po dokesh si do djem të mëhallës, që kur nisë me u dalë leshi fytyrës dhe mu ndje burra, prej hormoneve u rritet edhe vetëbesimi dhe nisin me u bo kapadai, me ngreh zhag aty këtu naj fëmijë të lagjes sa për me ua shti tuten të tjerëve. Po më vjen keq veç prej ish Fer-istave që s’po guxojnë me t’u nij për së gjalli!”, ka thënë ajo.