Arbëri

Haradinaj thotë të ketë qenë njeriu më i afërt i Rugovës, prandaj e voton Teuta

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e ka konsideruar si të jashtëzakonshme votën pro qeverisë së tij të Teuta Rugovës, bijës së presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në një bisedë për televizionin publik të Kosovës, Haradinaj ka thënë se ka qenë njeriu më i afërt i ish-presidentit Rugova dhe është mëse normale që vajza e tij, Teuta Rugova të votojë atë.

Haradinaj e ka quajtur jo normale presioni, që sipas tij, po i bën LDK-ja asaj për votën në favor të PAN-it.

Teuta Rugova u rreshtua përkrah deputetëve të PAN-it që në sfidën e parë që kishin, në fillim të seancës konstituive, kur kryesuesi vendosi ta vë në votim kërkesën e tyre për 2 orë pauzë, raporton koha.net. Ajo votoi pro, njësoj sikur deputetët e PAN-it, për ta lënë në 60 numrin e atyre që ishin pro këtij qëndrimi. Ky në fakt ishte një lloj testi për të dëshmuar se PAN-i nuk i ka votat e nevojshme për formimin e institucioneve të vendit.

Mbetet e paqartë nëse Teuta Rugova, deputetja më e re në moshë në Kuvendin e Kosovës, do të votojë pro apo do të mbetet siç kishte deklaruar vetë në një postim në Facebook se do të votojë si partia e saj.