Administrata e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka mohuar deklarimet e gjyqtares Naime Krasniqi-Jashanica, se disa nga seancat gjyqësore të muajit korrik të këtij viti, kanë dështuar si pasojë e mungesës së zyrtares ligjore.
Gjyqtarja nga Departamenti i Përgjithshëm Naime Krasniqi – Jashanica, për dështimin e këtyre seancave, i kishte njoftuar palët edhe përmes një njoftimi që kishte vendosur në derën e zyrës së saj, më 14 korrik 2017, me arsyetimin se mungon zyrtarja ligjore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor, një gjë të tillë e ka mohuar administrata e kësaj gjykate. Në një përgjigje dhënë për “Betimi për Drejtësi”, thuhet se zyrtarja ligjore, Rovena Kastrati, ka shkuar në pushim vjetor me lejen e gjyqtares Krasniqi – Jashanica. Mirëpo, administrata menjëherë ia ka caktuar zëvendësuesen.
“Sa i përket seancave të datës 14.07.2017 të caktuara nga e njëjta gjyqtare, administratori i Gjykatës ka deklaruar se është njoftuar me kërkesën e gjyqtares dhe i njëjti e ka dërguar në zëvendësim zyrtaren ligjore Dafina Ymeri, e cila i është lajmëruar gjyqtares, mirëpo gjyqtarja të njëjtës i ka deklaruar se seancat e të njëjtës datë i ka anuluar. Andaj sipas administratës së Gjykatës kjo lënë të kuptohet se ka pasur zyrtare ligjore për të asistuar në procesin e punës te gjyqtarja Naime Krasniqi – Jashanica”, thuhet në përgjigjen e zëvendës administratorit të kësaj gjykate, Agim Bytyqi.
Sipas tij, shtyrja e seancës gjyqësore në mungesë të zyrtares ligjore, assesi nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë përgjegjësi e sekretares juridike.
“Sekretaret juridike nuk janë sekretare personale të asnjë gjyqtari, por janë sekretare juridike të Gjykatës Themelore dhe ato janë të obliguara të punojnë sipas nevojës në të gjitha departamentet, duke përfshirë edhe administratën gjyqësore. Sekretarja juridike përkatëse te gjyqtarja Naime Jashanica, Rovena Kastrati është e vetmja sekretare që ka pranuar të punojë me gjyqtaren në fjalë, nga gjithsej mbi 70 sekretare juridike. Pse asnjë sekretare juridike nuk ka dëshirë dhe nuk pranon të punojë me gjyqtaren Jashanica, duhet ta pyesni atë personalisht, administratorin e Gjykatës dhe sekretaret tjera juridike”, thuhet në përgjigjen e tij.
Ai ka shtuar se gjyqtarja Krasniqi-Jashanica nuk ka pasur të drejt të publikoi njoftime në dyer të gjykatës, për çështje të brendshme organizative dhe të bëjë, siç i ka quajtur ai, spektakle në media.
Por, këto pretendime të administratës së Gjykatës Themelore sërish i ka hedhur poshtë gjyqtarja Naime Krasniqi – Jashanica.
Ajo për “Betimi për Drejtësi” ka mohuar se zëvendësimi i zyrtares ligjore, është bërë me kohë dhe ka shtuar se për tre muaj ka qenë pa sekretare juridike.
“A e din kur ka ardhur Dafina që e kanë përmend. Dafina ka ardhur kur kanë përfundua seancat, kur u dal shkrimi, dmth pasditen e së premtes ka ardhur Dafina. Qysh dinë more njerëzit kështu. Po si mundet me qenë zyrtar Dafina, kjo është e pamundshme more. Kjo është non-sense. Prandaj po të them që të gjitha këto janë për shkak të menaxhimit të dobët, të administratorit të kësaj gjykate, Hoxhës, janë këto që po i bën në raport me gjyqtaren Naime. Nuk është e vërtetë, absolutikisht nuk është e vërtetë që Dafina është caktuar në zyrën time. Shumë bindshëm po ju them nuk është e vërtetë”, ka thënë gjyqtarja Krasniqi – Jashanica.
Gjyqtarja ka insistuar se vazhdimisht për këtë problem i ka shkruar sekretarit të kësaj gjykate, mirëpo sipas saj, ka munguar caktimi i zëvendësues së zyrtares ligjore që kishte shkuar në pushim vjetor.
Kurse, njoftimi për anulimin e seancave që e kishte publikuar në derën e zyrës së saj, e ka quajtur krejt të rastësishme.
“Kam bërë kërkesë për një zyrtar, prej janarit 2017. Tre muaj ditë kam punuar me praktikantë. Kam kërkuar me shkresë. Ju kam drejtuar me shkresë, ju kam drejtuar me imella, gjithandej për zyrtar ligjor. Ky zyrtar ligjor është shku në pushime. Kam kërkua një zëvendësim, me zëvendësua këtë zyrtar ligjor, dhe kjo nuk më është caktu. Kam dal nëpër kolegë, ju kam kërku procesmbajtës të tyre për më hi në shqyrtim, s’kam mujt me duru mu edhe e kam ba atë shkrim, tash pasojat e atij shkrimi i baj unë”, ka thënë ajo.
Për mungesën e caktimit të një zyrtareje ligjore, ajo e ka fajësuar administratorin e kësaj gjykate, që sipas saj, nuk po e kryen punën si duhet.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar më 16 korrik 2017, se gjyqtarja Naimi Krasniqi – Jashanica, kishte anuluar afërsisht 20 seanca gjyqësore brenda një jave.