Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjuka thotë se është shmangur kriza energjetike

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka, ka bërë të ditur në një konferencë për media të mbajtur në orët e pasdites se KEK-u ka arritur marrëveshje, fillimisht me dy familje, e që i mundëson korporatës të vazhdojë nxjerrjen e thëngjillit në fshatin Shipitullë.

Kjo, sipas tij, eviton krizën energjetike për të cilën ishte vet Gjuka që kishte alarmuar para disa ditësh se Kosova mund të përballet me krizë energjetike, pasi ka vetëm edhe dy javë rezerva thëngjilli.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Sot kemi edhe dy familje, familja Grajçevci edhe Berisha të cilët kanë reflektuar pozitivisht, kanë treguar një reflektim pozitiv e kanë pranuar ofertën e përgatitur disa muaj më herët . Por pse e them këtu për arsye se këto dy familje kanë qenë në zonën e parë të punës të ekskavimit të minierës apo zgjerimit të minierës... Kjo ofertë i mundëson KEK-ut që nga nesër një pjesë e minierës në pjesën e epërme të fillojë me operime. Iu bëj thirrje edhe banorëve të tjerë, që kanë ndërtesa apo shtëpi , ose konstrukte që po i quajmë profesionale për mënyrën që janë në atë pjesë që t’i bashkohen këtyre familjeve dhe ta debllokojnë situatën dhe të kalojnë këtë situatë e cila nuk është e lehtë”, tha Gjuka, raporton Kosovapress.

Gjuka tha se KEK-u është duke punuar me institucionet edhe për koordinim dhe implementim të ligjit dhe tha se ka marrë premtime edhe nga ministritë përkatëse që më 10 gusht do të bëhet një dëgjim publik dhe siç tha ai ky është premtim i kryeministrit në detyrë, Isa Mustafa.

I pyetur se shumë prej zyrtarëve e kanë fajësuar atë për gjendjen energjetike dhe krizën, drejtori i KEK-ut tha se nuk ka pasur kohë të dëgjojë deklaratat e askujt pasi që ka qenë i angazhuar për zgjidhje të problemit.

“Me keqardhje... nuk kam mundur t’i përcjell secilin çka ka fol. Por isha shumë i qartë - KEK-u nuk ka mandat ligjor, nuk ka mundësi ekzekutive, për arsye se janë organet tjera në bazë të ligjit që janë për këto çështje. KEK këtë proces e ka nisë në vitin 2012. Ju e dini në çfarë kohe kanë nisur ndërtimet, edhe njëherë ju bëj thirrje për pasqyrim të drejtë dhe kërkojmë mirëkuptim. Është koha të bëjmë zgjidhje. Unë sot këtu jam për të dhënë lajmin se ka zgjidhje dhe zgjidhja duhet të kërkohet dhe të insistohet”, tha Gjuka.

Ai ka shtuar se KEK-u ka përgjegjësi publike dhe se kjo korporatë është ajo që bënë zgjidhje të problemeve dhe jo të krijojë probleme. Ai tha se KEK-u nuk ka mandat ligjor që t’ia ndalojë ndokujt ndërtimet që kanë ndodhur në zonën e interesit.

“Ju e dini që KEK-u apo çdo institucion qoftë, inspektorat, ministri përkatëse, punon në bazë të ligjeve. Ju e dini që KEK-u nuk ka mandat ligjor, nuk ka mundësi ekzekutive t’i ndalojë ndërtimet që kanë ndodhur në atë pjesë”, tha Gjuka.

Drejtori ekzekutiv i KEK-ut, Arben Gjuka, u ka bërë thirrje edhe banorëve të tjerë të Shipitullës t’i pranojnë ofertat e kësaj korporate në mënyrë që të shmanget kriza për sezonin e dimrit.