Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lëvizja anti-Basha vazhdon, në vjeshtë kuvendi jashtëzakonshëm

Lëvizja anti-Basha do të vazhdojë, edhe pse zgjedhjet për kryetarin përfunduan me një fitore të thellë të Bashës ndaj kundërshtarit të tij, Eduard Selami.

Grupimi i vlerësuar si anti-Basha ka shpërndarë dje një deklaratë të gjatë lidhur me zgjedhjet e 22 korrikut dhe me atë që sipas tyre pëson nga ky proces. Lëvizja e lindur në Partinë Demokratike, e kryesuar nga Astrit Patozi në vjeshtë do të kërkojë mbledhjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm për të prezantuar një platformë të tyre politike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Platforma në fjalë ka të bëjë me ndryshimin e statutit të Partisë Demokratike. Grupimi anti-Basha ka hartuar në vija të përgjithshme 11 pika që ata do të kërkojnë të ndryshohen në statutin e PD-së, për ta rikthyer Partinë Demokratike në shinat “e saj ideologjike dhe të vlerave”, siç thonë ata. Nenet që ata kërkojnë që të preken kanë të bëjnë me zgjedhjen e kryetarit të partisë.

Për grupin anti-Basha nuk ka rregulla të qarta, kritere dhe standarde për zgjedhjen e kryetarit dhe të drejtuesve të strukturave të partisë. Sa i përket zgjedhjes së kryetarit, nisma e Lëvizjes propozon që në rast se një kryetar humbet zgjedhjet pasardhëse në diferencë më të madhe, kryetari duhet të japë dorëheqje të parevokueshme. Po ashtu, ata kërkojnë mbledhjen periodike të Këshillit Kombëtar të PD-së. Grupimi jep edhe arsyetimet pse kërkon ndryshimet.

“Humbja e rëndë në zgjedhjet e qershorit, më e rënda në historinë 27-vjeçare të Partisë Demokratike, mungesa e reflektimit nga ana e Kryetarit të Partisë, mungesa e mbledhjes dhe e vendimmarrjes në forumet e Partisë, mungesa e analizës për humbjen e zgjedhjeve, mos-dorëheqja e Kryetarit të Partisë si shkaktari i vetëm i humbjes në zgjedhjet e fundit parlamentare që solli kështu më pas rizgjedhjen e tij jo legjitime dhe një garë të pabarabartë në zgjedhjet për kryetar të PD-së, si dhe shkelja e procedurave në këto zgjedhje, përgatitja e listave zgjedhore duke anashkaluar statutin e Partisë, dhe përçarja brenda strukturave të Partisë, por mbi gjithçka udhëkryqi ku ndodhet PD dhe e ardhmja e saj, të gjitha këto na detyrojnë të marrim unanimisht vendimin për vazhdimin e lëvizjes sonë për bashkimin dhe demokratizimin e Partisë Demokratike nga brenda radhëve të saj. Vetëm brenda radhëve të saj dhe brenda strukturave të Partisë do të mund të sjellim bashkimin rreth shtëpisë sonë politike dhe të krijojmë mundësinë për të ringritur partinë mbi baza statutore dhe besimin tek strukturat tona dhe elektorati ynë”, thuhet në arsyetimin e lëvizjes brenda PD-së.

Po ashtu, ky grupim thotë se PD-ja më shumë se kurrë ka nevojë për një platformë që ta kthejë PD-në në forcën fituese në zgjedhjet e ardhshme.

“Partia Demokratike ka nevojë më shumë se kurrë për një platformë të qartë politike dhe për rivendosjen e saj në shina ideologjike të djathta. Partia Demokratike duhet të rikthehet sa më parë tek shtyllat e saj: anti-komunizmi, liria e individit dhe fjala e lirë, e drejta e pronës dhe tregu i lirë, familja dhe. Ne duhet të luftojmë fort për të mposhtur qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit që është përfaqësuese e vetëm 20% të shtetasve shqiptarë, krimin, drogën, kanabizimin e vendit, korrupsionin marramendës, varfërimin e vendit, oligarkinë, abuzimin me anë të populizmit të shfrenuar, largimin e shqiptarëve të pashpresë për një jetë të re larg vendit. Ne duhet të kthehemi në forcën kryesore opozitare në vend dhe të ringjallim shpresën e humbur tek shqiptarët ashtu siç kemi bërë 27 vite më parë. Humbja e mbi 230.000 votuesve tanë kërkon një analizë të thellë dhe serioze që duhet të kalojë nga forumet tona të ngritura me kaq mund ndër vite. Këto forume duhet të mblidhen dhe të nisin në çdo degë të partisë,thuhet në deklaratë.

11 pikat për ndryshimin e Statutit:

a) Rregulloren, procedurën, kriteret dhe standardet për zgjedhjen e kryetarit të PDSH.

b) Rregulla të qarta mbi sistemin e karrierës dhe meritës në të gjitha nivelet e organizimit dhe hierarkisë së Partisë.

c) Përcaktimin e procedurës, kritereve e modaliteteve në miratimin e kandidaturave për deputetë dhe kandidaturave të tjera elektorale nga organet vendimmarrëse kolegjiale të partisë dhe shqyrtimin e propozimin e tyre nga anëtarësia.

d) Ndalimin e çdo marrëveshjeje për bashkëqeverisje me kundërshtarin politik pa vendimmarrjen e organit më të lartë të partisë, Kuvendit Kombëtar.

e) Krijimin e gjykatës së partisë me përbërje edhe të figurave historike të partisë, për kontrollin formal të vendimmarrjes së organeve të të gjitha niveleve të Partisë.

f) Këshillin e të Urtëve të Partisë Demokratike, i cili duhet të jetë një organ i përhershëm këshillimor dhe me autoritet moral i PDSH-së, i përbërë nga personalitete të Partisë Demokratike ndër vite.

g) Këshilli Kombëtar duhet të zgjedhë mes anëtarëve të tij kryetarin e Këshillit Kombëtar, me kompetenca për thirrjen dhe drejtimin e Këshillit Kombëtar.

gj) Përcaktimin e detyrimit statutor për mbledhjen e Këshillit Kombëtar rregullisht dhe periodikisht.

h) Në rast të humbjes së zgjedhjeve parlamentare kryetari i PD-së të japë dorëheqjen e menjëherëshme;

i) Në rast të humbjes së dy palëve zgjedhjeve, kryetari i Partisë Demokratike të japë dorëheqje të parevokueshme.

j) Në rast se Partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare më tepër se herën parardhëse, kryetari i saj të japë dorëheqje të parevokueshme.