“Fatkeqësisht përveç të mirave që sjellin festivalet në Kosovë, po sjellin edhe dukuri negative. Statistikat tregojnë se përdorimi i drogave është mjaftë i pranishëm”.
Kështu ka thënë në Puls të KTV-së, Bajram Nuhiu, shef i sektorit për bashkëpunim dhe parandalim në drejtorinë e antidrogës në Policinë e Kosovës.
Ai ka thënë se në vitin e kaluar, në festivalin “Ngom Fest” janë arrestuar 13 persona për posedim të substancave narkotike, në festivalin “Doku-Fest” 23 persona për marihuanë, kokaine dhe ekstazi, në Gërmi kanë qenë 3 persona të arrestuar për ekstazi dhe amfetaminë.
Trendi ka vazhduar edhe në këtë vit.
“Në vitin 2017, në festivalin ‘Ngom Fest’ i cili mbahet në Prizren kemi arrestuar 28 persona, prej tyre 25 raste i kemi iniciuar. Prej tyre 27 persona kanë qenë të rritur dhe një i mitur. U janë gjetur kryesisht marihuanë dhe GHB”, ka thënë ai. “Në ‘Beer Fest’ që është mbajtur këto ditë kemi arrestuar një person me marihuanë”, ka thënë më tej ai.