Arbëri

Policia sqarohet për veturën që lëvizte në kahe të kundërt në autostradën “Ibrahim Rugova”

Policia e Kosovës, përmes këtij njoftimi zyrtar, informon qytetarët dhe opinionin e gjerë, lidhur me veprimet dhe masat e ndërmarra nga menaxhmenti i policisë ndaj zyrtarëve policorë, të cilët kanë qarkulluar/drejtuar automjetin zyrtar të Policisë së Kosovës në anën e kundërt të rrugës në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”.

Në këtë njoftim të PK-së thuhet se zyrtarët policorë me automjetin zyrtar Skoda, e cila i përket stacionit policor Suharekë, me datën 28.07.2017 rreth orës 16:22, në kilometrin 41 të autostradës drejtimi Vermicë–Prishtinë, kanë qarkulluar në kahen e kundërt të rrugës, pasi të njëjtit “gjatë detyrës zyrtare kanë qenë në ndjekje të një veture të dyshuar, në të cilën ndodheshin personat e dyshuar, për të cilët dyshohej se janë përfshirë në rast vjedhje”.

LEXOJENI EDHE KËTË

Policia e Kosovës vozit në kah të kundërt në autostradë

“Personat e dyshuar gjatë ikjes kanë shfrytëzuar qarkullimin me veturën e tyre në kahe të kundërt të rrugës dhe zyrtarët policorë në vozitje emergjente janë vënë në ndjekje të tyre po në atë drejtim, me qëllim të arrestimit të personave të dyshuar”, thuhet në njoftim.

Sipas PK-së, menaxhmenti kompetent i rajonit përkatës ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme për shqyrtim dhe hetim pre-eleminar të rastit, lidhur me marrjen e masave administrativo disiplinore, për shkeljen e ligjit mbi rregullat e trafikut rrugor.