“Koalicion me bazë më të gjerë” është zgjidhja e nyjës në të cilën gjendet Kosova. Kjo do të dëshmohet në seancën e 3 gushtit, ku Arbër Vllahiu nga AAK ka thënë se tashmë numrat e koalicionit PAN janë të sigurt.
“Sikur ta kishim Kosovën vetëm diçka që është personale atëherë kisha kuptu që ka edhe aspekte të inateve. Kemi prit që ftesat ashtu siç janë bërë në mënyrë zyrtare, të marrim edhe përgjigje zyrtare. Ka qenë vullnet i Haradinajt që të zgjasë dorën për bashkëpunim dhe nuk do të bëhet asgjë pa bashkëpunim me opozitën. Edhe LVV edhe LDK e dinë se cili është koalicioni fitues në zgjedhjet e 11 qershorit”, ka thënë Vllahiu.
Mirëpo, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri i tha se koalicioni qeverisës nuk mund të bëhet me individë por me parti politike.
“Koalicioni nuk mund të bëhet me individë, duhet të bëhet me parti politike”, i thotë Gaxherri Vllahiut.
“Unë dyshoj se nuk i kanë hiç numrat. Nuk i kanë as komunitetet joserbe. Ju jeni të vonuar me datën 3. Më vjen keq shumë z. Vllahiu që të kam ty sot përball sepse nuk i ke shkaktu ti ato, por je përfaqësues”, shtoi tutje ajo.
Sipas deputetes Besa Gaxherri, qeverisja e shkuar LDK-PDK është rrëzuar për shkak të inateve politike. Andaj, sipas Gaxherrit, inatet politike zënë vend si më herët edhe tash në krijimin e koalicioneve.
“Nuk shkon për shtati sot fjala ‘për inate’ sepse pikërisht për inate e keni rrëzuar qeverinë me LDK-në”, ka thënë Gaxherri.
Ajo i është drejtuar edhe deputetit të zgjedhur të PDK-së, Hajdar Beqa.
“Ju e meritoni të shkoni në opozitë sepse ju i keni bërë dëme të mëdha vendit të Kosovës. Ju me qeveritë tuaja keni skandale kriminale”, ka thënë Gaxheri.
“Unë e di që ju jeni të fortë, keni bë me Kosovën gjithmonë çka keni dashtë. Ju duheni me shku në opozitë sepse Kosova është në hall prej juve”, shtoi tutje ajo.